Shpresat për SHIKUESHMËRINË

  • 24 September 2018 - 08:32
Shpresat për SHIKUESHMËRINË
Edicioni i ri në basketboll zyrtarisht filloi të shtunën. Në këtë edicion, të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime, duke shpresuar se do të jetë një kampionat më cilësor se ai i vitit të kaluar. Gjithashtu priten më shumë derbi, dhe që shikueshmëria të ketë ngritje

E dicioni i kaluar nga shumë njohës të basketbollit është karakterizuar si më i dobëti pasluftës. Klubet e basketbollit u përballën me shumë probleme, ku kishte rënie të cilësisë, dhe rrjedhimisht edhe rënie të shikueshmërisë, që nuk ishte menduar më parë. Kriza e Pejës dhe Trepçës ndikuan shumë në elitën e basketbollit, duke bërë që shikueshmëria të jetë shumë e ulët, derisa munguan derbit, për shkak se edhe skuadrat tjera u përballën me shumë probleme. 

Shikueshmëria në qendrat më të mëdha
Për edicionin e ri, tetë skuadrat e Superligës, kanë bërë përforcime të huaja, dhe në vazhdim të kampionatit pritet të dëshmohet se sa janë cilësore dhe sa do të ndikojë në synimet që kanë skuadrat e elitës. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, thotë se shikueshmëria do të jetë në qendrat e mëdha të Kosovës. "Shikueshmëria po dihet se është në Prishtinë, në Prizren dhe në Mitrovicë. Në këto vende pres shikueshmëri, kurse nga të tjerat, jo edhe aq. Shpresoj se do të ketë më shumë shikues se në edicionin e kaluar dhe të jetë një kampionat më interesant", ka deklaruar Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Peja nuk është regjistruar fare për edicionin e ri për shkak të borxheve ndaj FIBA-s dhe FBK-së, derisa në vend të saj hyri Borea, skuadra tjetër pejane. Në këtë edicion do të jetë edhe derbi prizrenas, ndërmjet kampionit Bashkimit dhe Ponte Prizrenit, që ka bërë disa përforcime për edicionin e ri, dhe synon të lë gjurmë në Superligë, e të jetë një arrë e fortë për çdo kundërshtar. Edhe skuadra e Trepçës ka bërë disa përforcime të huaja dhe ka rikthyer vendorët, me shpresë se do të këndellet pas krizës që e ka kapluar në edicionit e fundit, derisa 'Torcida' i ka qëndruar pranë edhe në momentet më të vështira të klubit.

Skuadrat e reja që premtojnë shumë
Superliga u hap të shtunën, ku Ponte Prizreni ka mundur Lipjanin 87:74, derisa Rahoveci ka mundur Borean 101:85. Spaqi është shprehur se fitoret ishin të pritura, derisa skuadrat e inkuadruara në elitë do t'i japin më shumë hijeshi Superligës. "Dy fitore të pritura për mua dhe njohësit e basketbollit. Po shpresojmë se të jetë sezon më i mirë se vitin e kaluar. Sepse kemi dy skuadra të reja në Superligë, që premtojnë për edicionin e ri. Ponte Prizreni është skuadër serioze pasi themelet i ka të sigurta dhe pritet që të ketë një edicion mjaft interesant, derisa për Lipjanin do të shohim në vazhdim të kampionatit. Të shohim edhe si do të jenë përforcimet e huaja që kanë bërë skuadrat e elitës", ka shtuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Skuadra favorite në edicionin e ri shihet Prishtina, që ka bërë shumë përforcime për edicionin e ri, me lojtarë të huaj dhe vendorë. Bardhekaltrit u eliminuan në Ligën e Kampionëve në basketboll, derisa gjithashtu do të marrin pjesë në FIBA Europe Cup, si dhe në Ligën Ballkanike. Kampion edicionin e kaluar u shpall Bashkimi, duke festuar titullin e parë në histori të klubit, por ishte finaliste edhe në Ligën Ballkanike, megjithatë, Portokallinjtë kanë bërë shumë ndryshime nga edicioni i kaluar dhe mbetet të shihet se si do të komponohen për edicionin e ri. 

(Kosova Sot)