Beckhami dhe Zidane në bisedime për pozitën e trajnerit të Inter Miamit

  • 24 September 2018 - 12:54
Beckhami dhe Zidane në bisedime për pozitën e trajnerit të Inter Miamit

Mediat angleze pretendojnë se David Beckhami është duke negociuar me ish-trajnerin e Real Madridit dhe ish-bashkëlojtarin e tij, Zinedine Zidane, për t’ia ofruar francezit pozitën e trajnerit të klubit të tij të ri amerikan, Inter Miami.

Zidane është i papunësuar për momentin pasi që në përfundim të sezonit të kaluar, ai dha dorëheqje nga pozita e trajnerit të Real Madridit, pas triumfit në finalen e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve.

Gjatë verës ishte përfolur se strategu francez do të ishte pasuesi i Jose Mourinhos në Manchester United. Megjithatë, tani Daily Mirror raporton se Beckhami tashmë ka folur me Zidanen dhe është afër ta bindë këtë të fundit ta marrë punën e trajnerit të Interi Miamit.

Megjithatë, Zidane besohet se është shumë i sigurt se ai do ta marrë punën në Manchester United. Madje, thuhet se ai ka aq shumë vetëbesim për këtë gjë saqë tashmë e ka bërë një listë të lojtarëve që kërkon ti ketë në skuadrën e “Djajve të kuq”.

Por, përkundër kësaj, Beckhami shpreson se miqësia e tij me Zidanen do t’i ndihmojë për ta bindur francezin. Legjenda e futbollit anglez tashmë e ka bërë të ditur se i kërkon yjet më të mëdha të futbollit në klubin e tij duke thënë se do të donte ta kishte Lionel Messin në skuadër.

 

(Kosova Sot)