Lampard: Man Unitedi e ka një skuadër të mrekullueshme

  • 24 September 2018 - 12:59
Lampard: Man Unitedi e ka një skuadër të mrekullueshme

Ish-mesfushori legjendar i Chelseat, Frank Lampard, ka thënë se trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka bërë një skuadër të mrekullueshme, si dhe i ka cilësuar “Djajtë e kuq” si një ndër skuadrat më të mirë të Premierligës.

Mourinho është kritikuar mjaft shumë gjatë këtij sezoni si dhe turneut parasezonal. Pozita e tij si trajner i Manchester Unitedit është vënë shpesh në dyshim për shkak të rezultateve jo mjaftueshëm të mira për “Djajtë e kuq”.

Por, Mourinho dhe skuadra e tij do të tentojnë t’i kthehen fitoreve përsëri në mesjavë, kur do të ndeshen me klubin të cilin e menaxhon Lampardi, Derby. Ndeshja do të zhvillohet në Old Trafford dhe është e vlefshme për garën Carabao Cup.

Ish-mesfushori i Kombëtares së Anglisë, i cili kishte qenë lojtar i Mourinhos për disa vite në Chelsea, beson se skuadra e tij do të përballet më një prej skuadrave më të mira në Angli, përkundër formës së kohëve të fundit.

“Ne e dimë se kundër kujt do të ndeshemi, kundër një skuadre të mrekullueshme të Manchester Unitedit, që Mourinho e ka bërë së bashku”, ka thënë Lampard.

‘Fakti se ndeshja jonë kundër njërës prej skuadrave më të mira të Premierligës do të shfaqet në televizion paraqet një sfidë të madhe për ne. Do të jetë shumë e vështirë”.


 

(Kosova Sot)