Pogba zbulon arsyen e performancave të dobëta të Sanchezit

  • 24 September 2018 - 13:20
Pogba zbulon arsyen e performancave të dobëta të Sanchezit

Ylli francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, beson se bashkëlojtari i tij Alexis Sanchez do të përmirësohet, por performancat e tij të fundit i arsyeton duke thënë se kiliani ende nuk është mësuar me skuadrën e tij të re.

Sanchezi iu bashkua skuadrës së “Djajve të kuq” nga Arsenali në një marrëveshje mes dy klubeve për shkëmbimin e lojtarëve, marrëveshje kjo e cila rezultoi me transferimin e Henrikh Mkhitaryanit në Londër, përcjell Gazeta Express.

Kjo marrëveshje u arrit në janar, por deri më tani Sanchezi nuk ka arritur të shfaqë talentin e tij ashtu siç kishte bërë në Arsenal. Megjithatë, Pogba është i sigurt se bashkëlojtari i tij do të arrijë ta bëjë këtë gjë sapo të adaptohet me stilin e lojës të Unitedit.

“Ajo që ju duhet ta dini për Alexisin është se ai punon me të vërtetë shumë. Stërvitet shumë mirë, ai gjithmonë tenton t’i ndihmojë skuadrës sonë, bisedon me të gjithë dhe bënë gjithçka tjetër të nevojshme”, ka thënë Pogba.

“Ai do të mësohet këtu edhe pak. Kur luan për një klub tjetër për një kohë të gjatë dhe aty luan futboll më ndryshe se në skuadrën e re, atëherë të nevojitet pak kohë për t’u adaptuar”.

“Nuk është që ai është duke performuar keq. Ne e dimë që Alexis Sanchezi mund të na dhurojë neve shumë dhe jam i sigurt se ai do ta bëjë një gjë të tillë”.

“Por, ai nuk është duke luajtur keq dhe vazhdon të mbetet pozitiv, e dini edhe ju këtë gjë, kështu që ne duhet të mendojnë për këtë gjë që është e mirë”.

 

(Kosova Sot)