Vëmendja vetëm te elita, "harrohen" kategoritë tjera

  • 25 September 2018 - 08:27
Vëmendja vetëm te elita,
Infrastruktura po e mbyt futbollin në kategoritë e ulëta 

"Organizimi i garave në kategoritë e ulëta të futbollit nuk është i keq, por infrastruktura duhet urgjentisht të përmirësohet. Sigurisht që dallimi ndërmjet Superligës dhe ligave tjera është i madh, por nëse investohet në infrastrukturë edhe në këto kategori mund të kemi gara shumë interesante", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani

Futbolli i Kosovës vitet e fundit ka marrë hov, e kjo më së miri po shihet me prurjet e mëdha nga vendet e huaja dhe atë jo vetëm me lojtarë, por së fundmi edhe më trajnerë. Mirëpo, investimet dhe interesimi duket se janë përqendruar vetëm në elitën e futbollit, derisa në kategoritë me poshtë gjërat nuk janë ashtu siç duhet të jenë. Sivjet në Ligën e Parë dhe të Dytë gjërat janë më mirë sa u përket investimeve, po ajo që më së shumti po me pengon zhvillimin e futbollit atje është infrastruktura ku ndeshjet zhvillohen në kushte jashtëzakonisht të këqija. Askush nuk mund ta bëjë më mirë një krahasim mes futbollit elitar dhe atij të kategorive sesa Erdin Hashani. Ai sivjet i vari "Këpucët në gozhdë", për ta nisur zejen e trajnerit në Ligën e Dytë. Hashani, i cili mori nën drejtim skuadrën e Dardanës, e cila bën gara në Ligën e Dytë - Grupi B dhe i prin tabelës me 10 pikë të tubuara në katër ndeshjet e zhvilluar. "Sigurisht që ka shumë dallim të madh prej Superligës, duke filluar nga kushtet dhe normal që edhe lojtarët në Superligë kanë cilësi më shumë.Përveç kësaj edhe organizimi në Superligë është shumë më i mirë, pasi atje ka investime më shumë dhe natyrisht përgjegjësia atje është më e madhe", ka thënë në fillim të bisedës, Erdin Hashani.

Infrastruktura, pengesa më e madhe
Sipas ish-futbollistit të njohur, Erdin Hashani, pengesa më e madhe e zhvillimit të futbollit në kategoritë e ulëta në Kosovë është infrastruktura, e cila është shumë e dobët."Organizimi i garave në këtë nivel nuk është i keq, por infrastruktura duhet urgjentisht të ndryshohet. Shpresoj që edhe kjo një ditë të përmirësohet, pasi në Kosovë ka talente, por duhen kushtet e punës të jenë më të mira. Klubet në Ligën e Dytë janë të organizuara mirë, por besoj që me kalimin e kohës secilën herë do të jetë edhe më mirë. Nuk kemi më arsye që të ankohemi, sepse tani i kemi të gjitha mundësitë, vetëm se duhet punë", vlerësoi Hashani. Në elitën e futbollit, aty ku edhe është i përqendruar i tërë opinion futbolldashës, shpesh shohim akuza të mëdha në adresë të gjyqtarëve, por çfarë niveli të gjykimit kemi në kategoritë ku qasja e opinionit është shumë më e vogël? "Deri tash referimi ka qenë shumë i mirë sa i përket Ligës së Dytë, të paktën po foli për ndeshjet që i kemi zhvillu ne. Ka djem të rinj që dëshirojnë të arrijnë sukses në referim dhe punojnë me përkushtim. Kushtet i kanë dhe krejt çfarë u duhet është të jenë sa më korrektë dhe ta ndajnë drejtësinë ashtu siç duhet, sepse ata janë për atë punë aty, pra çfarë të shohin duhet me referu. Me një fjalë referimi kisha më thënë së është i kënaqshëm", ka vlerësuar Hashani, duke folur më pas edhe për mbikëqyrjen e FFK-së ndaj ligave të ulëta."Mendoj që federata e mbikëqyrë përderisa organizohet nën organet e FFK-së, kështu që e kanë obligim që të mbikëqyrë dhe ta organizojë si duhet, sepse edhe në këto ligat luhet futboll dhe jo vetëm në Superligë. Sa më e madhe që të jetë mbikëqyrja me pak punë do të ketë federata", ka thënë Hashani.

(Kosova Sot)