“Mbappe është e ardhmja e futbollit”

  • 25 September 2018 - 12:34
“Mbappe është e ardhmja e futbollit”

Ylli kroat i Real Madridit, Luka Modrici, mund t’i ketë dhënë fund dominimit të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldo me triumfin që pati këtë vit në çmimet individuale, por David Trezeguet beson se e ardhmja e futbollit është sulmuesi francez, Kylian Mbappe.

Ish-futbollisti francez, Trezeguet, beson se bashkëkombësi i tij, Mbappe, është e ardhmja e futbollit, për shkak të talentit që ka dëshmuar që e ka gjatë ndeshjeve me Paris Saint-Germainin, si dhe me Kombëtaren e Francës.

Mbappe u emërua në formacionin më të mirë të vitit nga FIFA, FIFPro World XI, për shkak të suksesit që pati me Francën në turneun e Kupës së Botës, ku edhe e fitoi çmimin për lojtarin më të mirë të ri. Ai gjithashtu e ka fituar edhe çmimin për lojtarin më të mirë të muajit të Ligue 1.

Mesfushori kroat, Luka Modric, e fitoi çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit, duke i dhënë fund kështu dominimit dhjetëvjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Megjithatë, Trezegeut, i cili e kishte shënuar golin e fitores për Francën e finalen e Evropianit të vitit 2000 kundër Italisë, beson se e ardhmja i përket Mbappes.

“Mbappe është një lojtar i cili i shfaqë kualitetet e tij edhe me klubin Paris Saint-Germain edhe me Kombëtaren e Francës”, ka thënë Trezegeut gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, që u mbajt dje në Londër.

“Mendoj se ai është e tashmja, por mbi të gjitha, ai është e ardhmja. Ai është e ardhmja e futbollit. Ai është pasuesi i Cristiano Ronaldos dhe i Lionel Messit. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”.


(Kosova  Sot)