Lampard: Mourinho është ende trajner i mrekullueshëm

  • 25 September 2018 - 13:32
Lampard: Mourinho është ende trajner i mrekullueshëm

Ish-mesfushori i Chelseat, tani trajner i Derbyt, Frank Lampard, nuk dyshon aspak në aftësinë e Jose Mourinho për të qenë trajner i një klubi si Manchester Unitedi.

Mourinho është kritikuar mjaft shumë gjatë këtij sezoni si dhe turneut parasezonal. Pozita e tij si trajner i Manchester Unitedit është vënë shpesh në dyshim për shkak të rezultateve jo mjaftueshëm të mira për “Djajtë e kuq".

Por, Mourinho dhe skuadra e tij do të tentojnë t’i kthehen fitoreve sonte, kur do të ndeshen me klubin të cilin e menaxhon Lampardi, Derby. Ndeshja do të zhvillohet në Old Trafford në orën 21:00 dhe është e vlefshme për garën Carabao Cup.

Ish-mesfushori i Kombëtares së Anglisë, i cili kishte qenë lojtar i Mourinhos për disa vite në Chelsea, beson se Mourinho e ka dëshmuar veten si trajner të mrekullueshëm përmes dy trofeve që i kishte fituar në sezonin e tij të parë me klubin.

“Kur je trajner i Manchester Unitedit, kur ke një CV dhe një karrierë si ajo që e ka Jose Mourinho, dhe nuk jemi duke folur për histori antike, kjo është histori e së tashmes, trofeu u Evropa Ligës dhe i League Cup, atëherë natyrisht se je ende i mrekullueshëm”, ka thënë Lampard.

“Sa i përket termit ‘i veçanti’, këto janë vetëm fjalë. Ndërsa sa i përket asaj që a është apo jo ai trajner i mrekullueshëm, atëherë po, sigurisht që është”.

Mourinho e kishte quajtur si “i veçanti” (The Special One) gjatë konferencës së parë si trajner i Chelseat në vitin 2004, para se të fitonte titullin e Premierligës.

“E pashë këtë dhe më pëlqeu. Ishte diçka më ndryshe. Kultura britanike nuk e parasheh të sillesh dhe ta quash veten të veçantë. Por, ashtu ishte Mourinho dhe unë e adhuroja për këtë gjë. Në fakt, nëse bën deklarata të tilla duhet t’i mbështetesh me suksese dhe Mourinho e ka bërë një gjë të tillë”. 

(Kosova Sot)