Interesant edhe në Ligën e Parë

  • 26 September 2018 - 09:08
Interesant edhe në Ligën e Parë
Edicioni i ri do të nisë më 13-14 tetor  

Krahas Superligës, në edicionin e ri edhe Liga e Parë pritet të jetë mjaft interesante, për shkak se skuadrat kanë cilësi të përafërta. Të gjitha skuadrat paraqiten me lojtarë vendorë, duke u kalitur për elitën e basketbollit të Kosovës

Kanë mbetur edhe rreth tre javë deri në fillimin e Ligës së Parë të Kosovës në basketboll. Edicioni i ri në këtë ligë, pritet të jetë mjaft interesant, për shkak se skuadrat nuk kanë dallime të mëdha mes tyre, me cilësi të përafërta me njëra-tjetrën. Të gjitha skuadrat paraqiten me lojtarë vendorë, ku cilësia e tyre është e mirë, dhe kaliten për të luajtur në Superligë. Në edicionin e kaluar, nga Liga e Parë në Superligë hyn Lipjani dhe Ponte Prizreni, që këtë kampionat po garojnë në elitën e basketbollit. Të dy këto skuadra u ndeshen në javën e parë të elitën, ku prizrenasit fituan 87:74. 

Disa lojtarë më të mirë se të Superligës
Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, i cili është trajner i Don Boskos, thotë se cilësia në Ligën e Parë është e kënaqshme, madje, ka lojtarë edhe më të se në Superligë. "Liga e Parë në basketboll padyshim që do të ketë shumë rivalitet në edicionin e ri, sepse 5-6 skuadra janë shumë të afërta me cilësi, si dhe të gjithë skuadrat paraqiten me lojtarë vendorë, madje me kualitete më të mira se disa lojtarë të Superligës. Nga kjo lë të nënkuptohet se do të jetë rivalitet i shëndoshë dhe e mirë për t'u parë me sy. Edicioni i ri në  Ligën e Parë pritet të jetë mjaft interesant", është shprehur Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Edhe në këtë ligë, skuadrat kanë bërë përforcime, duke u përgatitur për edicionin e ri, që pritet të ketë nëntë ose dhjetë skuadra. Don Bosko ka marrë shtatë lojtarë për edicionin e ri, që janë të rinj dhe premtues për të ardhmen, derisa kujtojmë që pjesë e kësaj lige, janë edhe skuadrat me traditë të madhe në basketboll, si Vëllazinimi dhe Drita, që gjithashtu e kanë për objektiv rikthimin në elitën e basketbollit. 

Kushtet
Spaqi është shumë i kënaqur me kushtet në klubin e tij, madje, thotë se kanë kushte më të mira se disa skuadra të Superligës. "Sa i përket Don Boskos për momentin i kemi kushtet më të mira nga të gjitha skuadrat e tjera, duke shtuar këtu se e kemi edhe nxehjen në palestër, që nuk e kanë edhe shumë skuadra të Superligës. Don Bosko është një foshnjë e re në basketbollin kosovar, ku krahas klubit kemi edhe institucionin edukativo-arsimor, që ka kushte shumë të mira. Që do të thotë krahas nxënësve që edukojmë në nivelin arsimor, i përgatitim edhe në nivel profesional të sportit. Prandaj kjo është nismë e mirë e jona dhe në të njëjtën kohë është edhe misioni i Don Boskos. Sa u përket qëllimeve, ne synojmë pjesën e epërme të tabelës, 4-5 vendet e para", ka shtuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Ish-basketbollisti i Prishtinës, Mabetexit e Bashkimi, që ka fituar shumë trofe në karrierën e tij, pret një edicion të mirë në Ligën e Parë në basketboll. Përforcime kanë bërë edhe Prishtina e Re, Vëllaznimi e Drita, duke bërë që rivaliteti të jetë më i madh në këtë rang garash.

(Kosova Sot)