Inzaghi: Me Ronaldon, Juventusi është ekipi më i mirë në Evropë

  • 26 September 2018 - 10:10
Inzaghi: Me Ronaldon, Juventusi është ekipi më i mirë në Evropë

Trajneri i Bolognas, Filipo Inzaghi mendon se transferimi i Cristiano Ronaldos në Juventus, e bën “Zonjën e Vjetër” skuadrën më të mirë në Evropë.

Ylli portugez u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Në gjashtë ndeshjet e tij të para për Juventusit, ai ka arritur t’i shënojë tri gola.

Juventusi e ka fituar titullin e Serie A-së shtatë herë radhazi, si dhe ka arritur në dy prej katër finaleve të fundit të Ligës së Kampionëve. Tani, skuadra e Massimiliano Allegri, ka arritur t’i fitojë të gjitha ndeshjet e këtij sezoni.

Inzaghi, skuadra e së cilit do të ndeshet me Juventusin sonte në stadiumin Allianz, beson se liderët e Serie A-së mund të jenë skuadra më e mirë në botë.

“Juventusi e dominojnë plotësisht futbollin në Itali, si dhe në Evropë ata kishin shkuar shumë afër triumfit në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Inzaghi.

“Me Cristiano Ronaldon, i cili është lojtari më i mirë në botë, Juventusi është skuadra më e mirë në Evropë, ose të paktën ndër më të mirat. Por, kjo gjë nuk është aspak e re pasi që të gjithë e dinin tashmë”.

“Siç kam thënë edhe më parë, ne duhet të jemi të përsosur kundër Juventusit. Shpresoj që do t’i surprizojmë të gjithë, ashtu si ndodhi edhe kundër Romës. Ne e kemi bërë këtë gjë edhe më parë, kështu që tani vetëm duhet ta përsërisim. Por, e dimë se do të jetë e vështirë”.

Bologna është në fund të tabelës së Serie A-së, pasi që i kanë siguruar vetëm katër pikë nga pesë ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Megjithatë, ndeshjen e fundit ata arritën t’i habisin të gjithë, kur fituan me rezultat 2-0 kundër Romës


(Kosova Sot)