Gattuzo e telefonoi De Biasin për ta bindur Edgar Canin

  • 01 September 2015 - 19:15
Gattuzo e telefonoi De Biasin për ta bindur Edgar Canin

Marrin fund dilemat për Edgar Çanin. Sulmuesi firmosi dje me klubin e AC Piza, që militon në Serinë C italiane.

Transferimi u zyrtarizua në mbrëmjen e së hënës, kur pas shumë negociatash, lojtari shqiptar pranoi të nënshkruante një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, por me kushtin nëse skuadra italiane ngjitet në Serinë B. Burime të sigurta pranë sulmuesit treguan për “Panorama Sport”, se ai do të përfitoj 180 mijë euro në sezon, një shifër e madhe kjo sa u përket klubeve të Serisë C. Piza drejtohet nga ish-mesfushori i Milanit, Genaro Gatuzo dhe synimi për këtë sezon është ngjitja në Serinë B.

Prapaskena Gazeta ka zbuluar dje edhe prapaskenën e transferimit të Çanit te skuadra e nivelit të tretë të futbollit italian.

Trajneri Gatuzo kërkonte me çdo kusht ta afronte te Piza shqiptarin, pasi e shikon si lojtarin ideal për sulmin. Italiani është fiksuar aq shumë për shërbimet e 26- vjeçarit, saqë ka telefonuar edhe trajnerin e Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi. Gatuzo ka komunikuar pak ditë më parë me De Biazin, duke i kërkuar si nder që të bindte Çanin të firmoste me Pizën. Pas disa telefonatave, sulmuesi ka pranuar më në fund.

“Ik te Piza, Gatuzo ka shumë dëshirë të punoj me ty. Jam i bindur që do të rilindësh. Nëse aktivizohesh rregullisht, atëherë do të jesh në planet e mia për Kombëtaren”, – mësohet t’i ketë thënë trajneri kuqezi lojtarit gjatë bisedës që kanë pasur.

“Mbushi mendjen të vij, do ta bëj lojtar të madh”, – ka insistuar Gatuzo te De Biasi. Pas largimit nga Catania, Çani ka pasur disa oferta nga klube të Serisë B, por nga dje ai do të nisë një aventurë të re te Piza. Afrimi i Gatuzos, oferta e majme, por sigurisht ndërhyrja e De Biasit, bindën lojtarin për të firmosur, edhe pse në një skuadër që militon në Serinë C dhe duket si një rënie në karrierë.