Wolfsburgu prezanton Draxler, Leverkusen Chicariton

  • 02 September 2015 - 12:35
Wolfsburgu prezanton Draxler, Leverkusen Chicariton

Wolfsburgu prezantoi zyrtarisht dy blerjet e reja, mesfushorin e talentuar gjerman Julian Draxler dhe mbrojtësin brazilian Dante. Draxler, i cili i kushtoi arkave të nënkampionëve të Gjermanisë, 36 milionë Euro, te Ujqërit do të mbajë veshur fanellën me numër 10 që u la e lirë nga Aaron Hunt, që u transferua te Hamburgu, ndërsa Dante ka zgjedhur numrin 18. Për ish lojtarin e Schalkes shfaqi interes të madh edhe Juventusi por Draxler në fund zgjodhi Wolfsburgun edhe pse ishte shumë pranë bardhezinjëve. 21-vjecari në konfercën për shtyp shpjegoi edhe arsyet e kësaj zgjedhjeje:

“U largova nga Schalke sepse kisha dëshirë të ndryshoja ambient. Përse zgjodha Wolfsburgun përpara Juventusit? Mendoj se në Gjermani në ndryshim nga Italia mund të rritem akoma edhe më shumë si futbollist dhe mund të shfaq më mirë cilësitë e mia. Bundesligën e njoh shumë mirë dhe ky fakt do të më ndihmojë të përshtatem sa më shpejt te Wolfsburgu. E vetmja gjë që më vjen keq është se nuk gjeta këtu Kevin De Bruynen, do të ishte bukur të luaja në një skuadër me të”.

Shumë i kënaqur për transferimin te formacioni i drejtuar nga Dieter Hecking u shfaq edhe qëndërmbrojtësi brazilian Dante. 31-vjecari theksoi se nuk u mendua dy herë kur dëgjoi për interesimin e Wolfsburgut. Blerja e kartonit të Dantes nga Bayerni i kushtoi klubit nga “Wolkswagen Arena”, 4.5 milionë Euro.

Ditë prezantimesh edhe te Bayer Leverkusen. Javier Hernandez nisi zyrtarisht aventurën e tij me “Aspirinat”, duke u shfaqur për herë të parë përpara mediave si lojtari më i ri i skuadrës së drejtuar nga trajneri Roger Schmitd. Chicarito për kartonin e të cilit Bayer Leverkusen derdhi në arkat e Manchester United, rreth 10 milionë Euro, zgjodhi fanellën me numër 7 ndërkohë që theksoi se do të japë maksimumin për skuadrën e tij të re.

“Dëshiroj të ndihem i rëndësishëm dhe të jem i lumtur prandaj vendosa të largohem nga Manchester United. Jam i sigurtë se te Leverkusen do të gjej lumturinë. Bayer besoi tek unë dhe dua tua shpërblej me gola dhe fitore. Ata më dëshironin me cdo kusht dhe unë e pata të thjeshtë të pranoja ofertën e Leverkusenit”.