Danilo Pereira: Portugalinë e pret sfidë e vështirë në Shqipëri

  • 02 September 2015 - 17:54
Danilo Pereira: Portugalinë e pret sfidë e vështirë në Shqipëri

Danilo Pereira po jeton ëndrrën në këtë fillim sezoni. Gjatë verës, mesfushori u transferua nga Maritimo te Porto, ndërsa tani ai pritet të luajë titullar me Portugalinë në miqësoren ndaj Francës dhe sfidën kualifikuese me Shqipërinë më 7 shtator në Elbasan Arena.

“Shqipëria është një kundërshtar i fort, i cili ka shanse të kualifikohet në finalet e Euro 2016. Presim një ndeshje të vështirë në Shqipëri. Dëshiroj të luaj në Kampionatin Europian dhe do të punoj shumë për ta realizuar këtë objektiv, por më parë duhet të kalojmë me sukses sfidat që kemi”.

Trajneri Fernando Santos do ta aktivizojë 23-vjeçarin në formacionin titullar, pas mungesave të të dëmtuarve João Moutinho e William Carvalho dhe të pezulluarit Tiago Mendes.

“Po jetoj një ëndërr, nuk kam dyshime. Gjithçka po ndodh shumë shpejt, por ky është një ndryshim pozitiv në karrierën dhe jetën time. Do ta shfrytëzoj këtë moment, pasi është mënyra e vetme që të rritem si futbollist”.

Mesfushori difensiv që numëron dy ndeshje me skuadrën portugeze, shprehet gati të marrë një rol protagonisti dhe beson se është një alternativë e vlefshme për ekipin luzitan.