Guardiola: Skuadrat si Barcelona ime vijnë një herë në jetë

  • 15 October 2018 - 13:14
Guardiola: Skuadrat si Barcelona ime vijnë një herë në jetë

Rrallëherë në futboll formohet një skuadër përplot individë me të vërtetë të talentuar të cilët punojnë së bashku në sinkronizim të përsosur. Kur formohen skuadra të tillë, ato mbahen mend si një ndër skuadrat më të mira që kanë luajtur futboll ndonjëherë.

Gjatë kohës së trajnerit spanjoll të Manchester Cityt, Pep Guardiola, në Barcelonë, ai ishte me fat që e menaxhoi një skuadër të tillë, e cila falë edhe punës së tij, theu shumë rekorde në futboll.

Barcelona e Guardiolës arriti t’i fitojë dy tituj të Ligës së Kampionëve, dy tituj të Kupës së Botës për Klube, dy tituj të Superkupës së Evropës, tre tituj të La Ligës, dy tituj të Copa del Rey dhe tre tituj të Superkupës së Spanjës.

“Dy sezonet kur e fituam Ligën e Kampionëve, e arritëm këtë gjë me shtatë lojtarë në skuadër nga akademia e klubit, lojtarë si Xavi, Andreas Iniesta dhe Victor Valdes”, ka thënë Guardiola, i cili e menaxhoi skuadrës e Barcelonës për katër vite, nga viti 2008 deri më 2012.

“Ata gjithë erdhën në këtë klub në moshën shtatë apo tetëvjeçare dhe u bënë yje të futbollit. Klubi kishte besim në mua, edhe unë erdha në këtë pozitë nga kategoritë e grupmoshave më të ulëta dhe ne kishim paratë për të blerë futbollistë të mrekullueshëm”.

“Ne gjithashtu e kishim edhe lojtarin më të mirë në botë. Këto gjëra ndodhin një herë në jetë. Ndihem nostalgjik kur i shikoj fotografitë e mia gjatë kohës atje dhe e kujtoj se sa shumë u argëtuam. Nëse pas 20 viteve e shikojmë se çfarë kishim bërë, atëherë do të jetë e mrekullueshme”.

 

(Kosova Sot)