“Mbappe do të bëhet lojtari më i mirë në botë”

  • 15 October 2018 - 13:22
“Mbappe do të bëhet lojtari më i mirë në botë”

Lojtari i Kombëtares së Islandës, Johann Berg Gudmundsson, ka thënë se ylli francez i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, është trashëgimtari i Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit për t’u bërë lojtari më i mirë në botë.

Mesfushori i Burnleyt e përjetoi ndikimin dhe rrezikun që i sjellë skuadrave kundërshtare Mbappe, i cili e shënoi golin e barazimit në ndeshjen mes Francës dhe Islandës, e cila përfundoi me rezultat 2-2.

Mbappe u fut në këtë ndeshje nga trajneri francez, Didier Deschamps, vetëm nga minuta e 60-të, dhe kampioni i Kupës së Botës arriti ta shënojë një gol nga pika e penalltisë në minutat e fundit të ndeshjes, për ta barazuar rezultatin.

Pasi pësoi nga performanca e mrekullueshme e Kylian Mbappes, Gudmundsson beson se Mbappe është po aq i mirë dhe i shpejtë sa cilido lojtar tjetër i cili ka luajtur futboll, megjithatë për të është e pabesueshme se ai është vetëm 19-vjeçar.

“Ai është me të vërtetë i veçantë. Ai është lojtari më i shpejtë që e kam parë ndonjëherë duke luajtur, dhe unë kam luajtur kundër Ronaldos dhe Messit. Shpejtësia e tij është në një nivel tjetër krahasuar me këta të dy”, ka thënë Gudmundsson.

“Natyrisht, Ronaldo është i shpejtë, por është ndryshimi i kësaj shpejtësie që Mbappe e ka shumë më të zhvilluar se të tjerët, si dhe mënyra se si e kontrollon topin në atë shpejtësi është me të vërtetë e veçantë”.

“Mendoj se ai do të bëhet lojtari më i mirë në botë pas dy viteve, nuk kam asnjë dyshim për këtë gjë. Është e pabesueshme që ai është vetëm 19-vjeçar dhe ka arritur të bëjë atë që e ka bërë vitin e fundit”.

“Ai tashmë veçse ka arritur shumë gjëra. Ai vetëm do të përmirësohet me kalimin e kohës. Për aq kohë sa ai është i përqendruar në gjërat e duhura dhe qëndron modest, unë mendoj se do të bëhet lojtari më i mirë në botë”.



(Kosova Sot)