Ancelotti: Liga e Kampionëve është më e barabartë pas largimit të Ronaldos nga Real Madridi

  • 15 October 2018 - 14:05
Ancelotti: Liga e Kampionëve është më e barabartë pas largimit të Ronaldos nga Real Madridi

Trajneri i Napolit dhe ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka bërë të ditur se ai mendon që transferimi i yllit portugez, Cristiano Ronaldo, në Juventus, e ka bërë më të barabartë Ligën e Kampionëve, pasi që Real Madridi do ta ketë më të vështirë pa të.

Pasi e fituan Ligën e Kampionëve për tri vite radhazi, trajneri italian, Carlo Ancelotti, beson se dominimi i Real Madridi në këtë garë tanimë është dukë marrë fund. Ancelotti, i cili kishte triumfuar me Real Madridin në këtë garë në vitin 2014, beson se tani gara është më e barabartë.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Cristiano Ronaldo, u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro.

Megjithatë, pas shitjes së tij, klubi madrilen nuk e konsideroi si të nevojshme ta transferonte një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon. Ky vendim tani po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.

Tri nga këto katër ndeshje, Real Madridi ka pësuar humbje, përfshirë këtu edhe disfatën në La Liga me rezultat 1-0 kundër Deportivo Alavesit. Këto tre pikë të humbura e kanë shtuar edhe më shumë presionin mbi trajnerin e skuadrës, Julen Lopetegui.

“Mendoj se do të jetë një garë më e barabartë këtë vit pasi që Real Madridi e ka humbur Cristiano Ronaldon. Juventusi do të jetë një skuadër shumë e fortë në Ligën e Kampionëve, megjithatë do ta bëjmë edhe një rivlerësim në prill”, ka thënë Ancelotti.

“Italianët, deri më tani, kanë bërë punë të mirë në Ligën e Kampionëve. Ne e shijuam një fitore për të cilën luftuam me shumë mund kundër Liverpoolit, megjithatë tani duhet ta kthejmë vëmendjen tonë te PSG-ja”. 

(Kosova Sot)