De Gea kërkon rinovimin me Man. United

  • 03 September 2015 - 13:06
De Gea kërkon rinovimin me Man. United

Pas dështimit të transferimit te Reali i Madridit, portieri spanjoll, David De Gea nuk ka ndërmend të ngrohë stolin e rezervave. Numri 1 i Manchester United synon të rinovojë kontratën me “Djajtë e Kuq” që skadon në vitin 2016. Reali i Madridit nuk arriti ta fitonte betejën me kohën në limitet e merkatos për blerjen e portierit dhe në këtë mënyrë, De Gea mbetet në Angli ku deri tani nuk është aktivizuar nga trajneri Van Gaal.

Në këtë mënyrë, ai ka kontaktuar agjentin Jorge Mendes, të cilit i ka bërë me dije se synon rinovimin e kontratës pasi aktivizimi i tij i rregullt gjatë sezonit do të peshojë edhe në vendimin e trajnerit të Spanjës, Del Bosque për Euro 2016. Në krahun tjetër edhe Manchester United mbetet i hapur për rinovimin e kontratës që do të mirëpritej edhe nga Keylor Navas që në këtë mënyrë do të siguronte vendin e titullarit për të paktën një sezon të plotë te “Los Blancos”. Van Gaal ka ndezur dritën jeshile për finalizimin e marrëveshjes së re që do të lidhë 24-vjeçarin me Manchester United edhe për disa vjet dhe në këtë mënyrë, ai nuk do të mundet të bashkohet me skuadrën e ëndrrave të tij për të paktën edhe një sezon.