Ja cilat klube i mbështesin pjesëtarët e familjes mbretërore të Anglisë

  • 15 October 2018 - 18:36
Ja cilat klube i mbështesin pjesëtarët e familjes mbretërore të Anglisë

Mbretëresha, princi Charles, princi William dhe princi Harry e kanë shfaqur përkrahjen e tyre për klube të ndryshme gjatë viteve, kur u janë bërë vizita në Pallatin Mbretëror nga futbollistë e trajnerë të ndryshëm.

Edhe pse shumica e familjes mbretërore i përkrahin kluben londineze, thuhet se pjesëtare të ndryshëm përkrahin edhe klubet nga jashtë Londrës, të ndikuar nga trajnerë e futbollistë të ndryshëm.

Mbretëresha Elizabeta II thuhet se është tifoze e West Ham Unitedit. Edhe pse ajo e ka mbajtur të fshehur këtë gjë nga publiku, thuhet se ajo ka qenë tifoze e këtij klubi që nga vitit e 60-ta. Megjithatë, mbretëreshës i pëlqen edhe Arsenali, e madje edhe e kishte ftuar Arsene Wengerin në një takim në pallat në vitin 2007.

Në vitin 2012 u bë e ditur se princi Charles është tifoz i Burnleyt. Ai kishte qenë duke bërë punë bamirësie, kur u pyet nga një gazetar se cilin klub e mbështetë ai. Princi Charles kishte bërë të ditur se është tifoz i Burnelyt.

Duka i Cambridge, princi William, është pjesëtari më aktiv i familjes mbretërore në botën e futbollit. Ai njihet që është tifoz i Aston Villas dhe ka shkuar shpeshherë në stadium për t’i shikuar ndeshjet e klubit të tij. Madje në vitin 2006, ai ishte bërë president i Federatës së Futbollit të Anglisë, si dhe ka ndjekur rregullisht ndeshjet e Kombëtares së Anglisë dhe finalet e FA Cup.

Për dallim nga i vëllai, princi Harry ka tentuar ta mbajë të fshehur klubin e tij të preferuar, dhe i ka ndjekur në stadiume vetëm ndeshjet e Anglisë dhe finalet e kupave. Megjithatë, gjatë një vizite të tij në Wellington, ishte bërë e ditur se ai është tifoz i Arsenalit.

Dukesha e Cambridge, Kate Middleton, fillimisht mendohej se ishte tifoze e të njëjtit klub si burri i saj, Aston Villa. Megjithatë, në vitin 2015 u kuptua se asaj i pëlqente Chelsea. Një nga fëmijët që e kishte takuar dukeshën kishte thënë se ata ishin përshëndetur pasi që të dy ishin tifozë të Chelseat.



(Kosova Sot)