Hashani: Klubet të marrin mësim nga Kombëtarja

  • 16 October 2018 - 09:04
Hashani: Klubet të marrin mësim nga Kombëtarja
E ardhmja pritet të sjellë rezultate edhe më të mira

"Kombëtarja duhet të jetë mostër për klubet tona sesi përgatitet një ndeshje ndërkombëtare, por edhe si arrihen rezultatet. Unë mendoj që shumë shpejt e gjithë Evropa dhe bota do të flasë për Kosovën dhe për lojtarët nga Kosova", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani

Rezultatet e shkëlqyeshme të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve, sipas analistëve të futbollit, duhet të jenë një udhërrëfyes edhe për klubet dhe futbollistët e kampionatit të Kosovës. Entuziazmi i madh i lojtarëve në fushë, por edhe spektakli në tribuna pritet të ketë ndikim pozitiv tek lojtarët e rinj në kampionatin tonë, por edhe të klubet kosovare, të cilat duket se kanë marrë mësim sesi duhet organizuar një ndeshje ndërkombëtare dhe sesi duhet kërkuar rezultatet në Evropë. Ish- fut-bollisti i mirënjohur kosovar, tash trajner, Erdin Hashani, ka thënë se shumë shpejt Evropa do të flasë për Kosovën dhe lojtarët e saj. "Kombëtarja duhet të jetë mostër për klubet tona sesi përgatitet një ndeshje ndërkombëtare. Unë mendoj që shumë shpejt e gjithë Evropa dhe bota do të flasë për Kosovën dhe për lojtarët nga Kosova", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani.

Shansi për talentet
Sipas ish-futbollistit prishtinas, elita e futbollit kosovar ka shumë talente, kështu që rezultatet e mira të Kosovës do të kenë ndikim pozitivist tek ta, pasi tash motivi dhe dëshira për t'u prezantuar në një ndeshje me një atmosferë spektakolare, siç ishin Kosova - Ishujt Farore apo Kosova - Malta, është jashtëzakonisht e madhe dhe i shtynë të punojnë fortë për ta arritur atë qëllim. "Së pari, çdo futbollist duhet të mendojë kur t'ia fillojë karrierës që një ditë të luajë në Kombëtaren e vendit të vet. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se kulmi i karrierës së një futbollisti është ekipi kombëtar", ka thënë Hashani, duke folur më pas për ndikimin që do të ketë te lojtarët e kampionatit këto ndeshje të Kosovës. "Rezultatet e Kosovës do të ndikojnë pozitivisht dhe është motiv shtesë për çdo futbollist, sepse tash po e kanë mundësinë nga afër që t' shohin ndeshjet e Kosovës dhe po e kuptojnë se çfarë do të thotë të përfaqësosh vendin tënd, çfarë respekti dhe çfarë privilegji e nderi është të veshësh fanellën e përfaqësues", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani.

Kjo Kosovë premton shumë
Trajneri i skuadrës së Dardanës, Erdin Hashani ka thënë se kjo Kosovë premton shumë dhe se e ardhmja do të jetë tejet e ndritur, kështu që lojtarët e rinj që luajnë në klubet kosovare duhet ta shtojnë motivin dhe një ditë të jenë pjesë të Kosovës aty ku ndjenja është krejtësisht ndryshe nga klubi. "Atmosfera në ekipin shtetëror është shumë ndryshe. Aty e gjithë Kosova i ka sytë nga ti dhe nuk ka nder më të madh. Po e them këtë, sepse edhe unë kam pasur fatin me e bartë fanellën e Kombëtares së Kosovës për shumë vjet, po e quaj fat, sepse është nder dhe privilegj të bartësh fanellën e shtetit tonë, e sidomos për këta që sot po kanë rezultate të mira", ka vlerësuar Hashani, duke besuar se e ardhmja do të sjellë rezultate edhe më të mira. "Çdo futbollist e ka derën e hapur në përfaqësuese, por gjithmonë vetëm më të mirët janë aty, kështu që për me arrit aty duhet punë, disiplinë dhe sakrificë. Unë po besoj që kjo Kosova do të na gëzojë shumë edhe në të ardhmen, andaj këta lojtarët e rinj që sot janë jashtë ekipit duhet të punojnë për të hyrë në atë ekip", ka përfunduar Erdin Hashani.

(Kosova Sot)