Cilat klube "kaluan provimin"?

  • 16 October 2018 - 09:05
Cilat klube
Kastrioti arriti të kualifikohet për herë të parë  

Fundjava ishte e pasur me hendboll në Kosovë, ku tri skuadra u paraqitën në arenën ndërkombëtare. Kastrioti i Ferizajt për herë të parë u kualifikua tutje, Besa Famgas mposhti nënkampionin e Norvegjisë, por u eliminua, derisa Prishtina ishte e pafuqishme përballë skuadrës ukrainase ZNTU-ZAB Zaporozhye, duke u mundur në dy ndeshjet në kryeqytet 

Tetori është quajtur muaji i hendbollit nga Federata e Hendbollit e Kosovës, për shkak të shumë aktiviteteve, ku do të garojnë ekipi i parë i Kosovës, U-20, U-18, por edhe paraqitjes së skuadrave kosovare në arenën ndërkombëtare. Fundjavën që lamë pas, në Kosovë, u zhvilluan pesë ndeshje ndërkombëtare, me tri skuadra që luajtën në arenën ndërkombëtare. Kastrioti i Ferizajt mposhti Tallinn-in e Estonisë, duke kaluar në rrethin tjetër për herë të parë në histori, Besa Famgas mposhti Drammen-in e Norvegjisë, por u eliminua, derisa Prishtina u mposht në dy ndeshjet nga skuadra ukrainase, ZNTU-ZAB Zaporozhye.

Prishtina Ish-hendbollisti i shumë skuadrave kosovare, Alban Dobroshi ka komentuar paraqitjet e secilës skuadër në arenën ndërkombëtare. Dobroshi thotë se Prishtina bëri shumë gabime përballë skuadrës kundërshtare. "Gjatë ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe ZNTU-ZAB Zaporozhye kam vërejtur shumë gabime te skuadra jonë. Së dyti ne nuk kemi lojtarë fundorë apo beka siç i quajmë ne në hendboll. Mandej përgatitje fizike ka pasur ndikim shumë te skuadra prishtinase, sepse skuadra kundërshtare ishte shumë më e përgatitur si fizikisht, ashtu edhe faktikisht. Fondi i lojtarëve ka qenë më i pasur te skuadra ukrainase se te ajo prishtinase. Liga e Ukrainës është shumë më cilësore se e jona dhe skuadra kundërshtare ishte shumë e përgatitur", është shprehur Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Në ndeshjen e parë Prishtina pësoi me rezultat 32:19, kurse atë të dytë 36:25. Të dyja ndeshjet janë zhvilluar në Prishtinë me marrëveshje të dy skuadrave.

Besa Famgas
Kampionia e Kosovës, Besa Famgas u eliminua me kokën lartë pasi mposhti skuadrën norvegjeze Drammen. Takimi në Pejë përfundoi 27:20, derisa nënkampionët e Norvegjisë kishin fituar përballjen e parë 37:26. Dobroshi thekson se pejanët u përballën me një kundërshtar shumë të fortë. "Kampioni i Kosovës ka pasur përballë një kundërshtar shumë të fortë. Pejanët arritën të fitojnë ndeshjen e kthimit, derisa atë të parë e kishin humbur me 11 gola dallim. Kundërshtari i pejanëve ishte shumë i vështirë, andaj ata kanë bërë më të mirën e mundshme në këto dy ndeshje në garat evropiane", ka theksuar tutje Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Kampionët e Kosovës kishin kaluar një xhiro në garat evropiane. 

Kastrioti
Kastrioti i Ferizajt e ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Tallinn-it të Estonisë dhe me dy fitore ka kaluar rrethin e dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup). Ndeshja e dytë, përkatësisht e kthimit, u zhvillua në palestrën "Bill Clinton" në Ferizaj. Kastrioti fitoi me një gol diferencë, 26:25. Ndeshjen e parë e kishte fituar me rezultat 25:22. Edhe ndeshja e parë ishte luajtur në Ferizaj. Kjo është hera e parë që Kastrioti kalon kundërshtar në Kupa Evropiane. Madje, deri të shtunën nuk kishte as fitore, ndonëse kishte luajtur 16 ndeshje gjatë tetë edicioneve. Por fitoret e kësaj fundjave dhe kalimi në rrethin e tretë vijnë si rezultat i riorganizimit të madh që është bërë në klubin me traditë nga Ferizaj. Ish-hendbollisti i skuadrës ferizajase shpreson se Kastrioti do të përforcohet në rrethin e ardhshëm. "Skuadra ferizajase ka arritur fitore të mëdha, duke u kualifikuar në rrethin e tretë të Kupës Sfiduese, ku në këtë rreth do të takohet me skuadrën belge, HC Vise. Shpresojmë se ferizajasit do të përforcohen me dy lojtarë cilësorë, dhe pse jo të kualifikohen në të 16- tin e finales. Organizimi i klubit ka qenë për çdo lakmi. Janë organizuar për një kohë shumë të shkurtë dhe janë kualifikuar në rrethin e ardhshëm", ka shtuar Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Ish-hendbollisti nga Gjakova ka pasur fatin të luajë për Prishtinën, Besa Famgas dhe Kastriotin. 

(Kosova Sot)