Pas debutimit fantastik në sportin e futbollit, Boltit i kërkohet t'i bëjë testet antidoping

  • 16 October 2018 - 09:39
Pas debutimit fantastik në sportin e futbollit, Boltit i kërkohet t'i bëjë testet antidoping

Usain Bolt do të jetë i detyruar të kryejë testet antidoping në Australi. Rekordmeni botëror i 100 dhe 200 metrave në atletikë, që ka vendosur të nisë karrierën e futbollistit, ka marrë një kërkesë për kryerjen e këtyre testeve, gjë që e ka lënë të habitur.

“Jam tërhequr nga garat e atletikës, po kërkoj të bëhem futbollist dhe shikoni këtë”, tha Bolt në profilin e tij në Instagram, ku zbuloi edhe njoftimin që i kishte ardhur. “Nuk e di se përse duhet të bëj testet antidoping, kur nuk jam ende futbollist profesionist. E shpreha këtë shqetësim dhe përgjigjja ishte se unë jam sportist i elitës, kështu që duhet t’i kryej këto teste”.

Usain Bolt, fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike dhe dominues i garave të sprintit në atletikë, bëri debutimin e tij si futbollist ditën e premte, teksa shënoi dy gola për skuadrën e tij Mariners, në një ndeshje miqësore në prag të sezonit të ri futbollistik në Australi.

Rekordmeni botëror, që është një tifoz i deklaruar i Manchester United, fitoi të drejtën për t’u stërvitur me skuadrën e “A League” për një kohë të pacaktuar.
 

Image

 

(Kosova Sot)