Legjenda e Man Unitedit hedh poshtë pohimet se lojtarëve të Mourinhos nuk iu bënë

  • 16 October 2018 - 09:55
Legjenda e Man Unitedit hedh poshtë pohimet se lojtarëve të Mourinhos nuk iu bënë

Ndihmësi i Jose Mourinhos dhe ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Michael Carrick, ka insistuar se rezultatet e këqija të këtij sezoni nuk kanë ardhur për shkak se lojtarët nuk po e jepnin maksimumin e tyre për trajnerin, dhe ka thënë se lojtarët po fajësohen gabimisht.

E ardhmja e Mourinhos në pozitën e trajnerit në Old Trafford është vënë në pikëpyetje gjatë kohës së fundit për shkak të rezultateve jo të mira që ka marrë këtë sezon, si dhe dyshohet se nuk e ka më besimin e lojtarëve, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, gjatë javës ishte raportuar se yjet e klubit, si David de Gea, Paul Pogba, Anthony Martial dhe të tjerë, nuk dëshirojnë ta vazhdojnë kontratën me klubin nëse nuk largohet strategu portugez nga klubi.

Portugezi kishte nënshkruar kontratë të re me “Djajtë e kuq” në janar, dhe përkundër spekulimeve se ai mund të shkarkohet nga puna, ende nuk ka pasur asnjë lajm zyrtar. Për më tepër, Mourinho do të takohet së shpejti me drejtorin ekzekutiv, Ed Woodward, për ta diskutuar të ardhmen e tij.

Carricku është shprehur i zhgënjyer me spekulimet se lojtarët nuk po tentojnë të luajnë mirë për shkak se duan që Mourinho të shkarkohet, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe ata po fajësohen gabimisht.

“Në United ka shumë pritshmëri të larta për lojtarët, kritikat janë gjithmonë të pranishme dhe tani për çdo lëvizje të lojtarëve, njerëzit menjëherë arrijnë në përfundime dhe i gjykojnë ata”, ka thënë Carrick.

“Djelmoshat janë njerëz dhe si të gjithë ne të tjerët, edhe ata bëjnë gabime. Është shumë e lehtë ta fajësosh një lojtar, duke thënë se ai nuk po e jep maksimumin e tij. Kjo nuk është aspak e vërtetë”.

(Kosova Sot)