Enrique: Reagimi tipik do të ishte t’i mbysja lojtarët, por isha i mrekullueshëm

  • 16 October 2018 - 11:11
Enrique: Reagimi tipik do të ishte t’i mbysja lojtarët, por isha i mrekullueshëm

Kombëtarja e Spanjës u mposht me rezultat 3-2 nga Anglia mbrëmë dhe trajneri Luis Enrique e lavdëroi veten pas ndeshjes, duke thënë se ai kishte qenë i mrekullueshëm me lojtarët në zhveshtore pas pjesës së parë.

Spanja u mposht në shtëpi nga Anglia me rezultat 3-2 të hënën. Në pjesën e parë, spanjollët pranuan tri gola, dy nga Raheem Sterling dhe një nga Marcus Rashford. Pastaj në pjesën e dytë, Paco Alcacer dhe Sergio Ramos arritën ta ngushtojnë rezultatin për Spanjën.

Spanjollët u mposhtën në shtëpi në një ndeshje me karakter garues për herë të parë që nga viti 2003, duke i dhënë kështu fund serisë prej 38 ndeshjeve të pamposhtur. Kjo ishte humbja e parë kundër Anglisë në shtëpi që nga viti 1987.

Përkundër humbjes, Enrique, ngjashëm me Sergio Ramosin, preferoi të përqendrohet te ana pozitive e ndeshjes, pasi që “La Roja” kishte qenë shumë afër përmbysjes së rezultatit në pjesën e dytë të ndeshjes.

“Pjesa e parë ishte shumë e keqe dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Ne u inkuadruam në ndeshje shumë vonë dhe nuk u përballem siç duhet me presionin dhe goli i tyre i parë na vrau”, ka thënë Enrique, i cili mbrëmë e humbi ndeshjen e parë që nga emërimi i tij si trajner i Spanjës.

“Nuk duhet ta them këtë, por unë isha i mrekullueshëm në pushimin pas pjesës së parë, pasi që reagimi normal do të kishte qenë t’i vrasë lojtarët. Unë nuk ndryshova asgjë dhe u thashë atyre se ekipet e mrekullueshme duhet edhe të vuajnë”.

“E kuptoj se kjo skuadër, me sjelljen e tyre, nuk kanë nevojë t’i godasë, t’i kritikojë apo t’i bëjë tri zëvendësime qysh në fillim. Unë duhet t’i përforcoj disa gjëra, t’i bëjë disa ndryshime në taktikën time dhe të vendosi një dinamikë më pozitive”.



(Kosova Sot)