Shqipëria në krizë golash, vetëm dy të shënuara në gjashtë ndeshje

  • 16 October 2018 - 11:58
Shqipëria në krizë golash, vetëm dy të shënuara në gjashtë ndeshje

Vetëm dy gola të shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit të Kombëtares Shqiptare, kanë bërë që për formën e dobët që po kalojnë kuqezinjtë, gishti të drejtohet pikërisht te reparti i avancuar.

Tre ndeshje miqësore dhe tri zyrtare, plot 540 minuta lojë dhe vetëm dy gola, që për më tepër janë shënuar nga dy mesfushorë, Xhaka dhe Ndoji, janë tregues i qartë i krizës që ka kapur sulmuesit kuqezinj.

Me Armando Sadikun që prej muajsh është i dëmtur dhe Cikalleshin, që nuk bën pjesë te të preferuarit e Panuccit, barra për të udhëhequr repartin e avancuar ka rënë mbi shkodranin Balaj.

Ky i fundit, për hir të së vërtetës është impenjuar mjaft dhe ka treguar gatishmëri për të bërë më të mirën, por nuk ka mundur të bëjë më të rëndësishmen, të dërgojë topin në rrjetë.

Madje në takimet e fundit, transfertat skoceze dhe izraelite, ka pasur disa mudësi të arta shënimi, por mungesa e konkretizimit u ka kushtuar shtrenjtë kuqezinjve, që kanë dalë me zero pikë nga këto dy sfida.

Trajneri Panucci është munduar t’i japë besim edhe Rey Manajt, por edhe ky nuk ia ka dalë të bëjë goleadorin kuqezi, ndërsa i fundit që u provua në majë të sulmit, ishte sulmuesi 19-vjeçar Xhiakomo Vrioni.

I riu luajti për disa minuta në transfertën ndaj Izraelit, por u pa i izoluar në majë të sulmit dhe i mbështetur shumë pak nga skuadra, ndonëse tentoi të lëvizë në të gjithë gjerësinë e fushës.

Sfida me Izraelin na tregoi edhe njëherë se kombëtarja ëshët aty dhe di të organizohet e të luajë, por nëse nuk dërgon topin në rrjetë, nuk mund të marrësh fitore, ndaj rikthimi i Sadikut, apo gjetja e formës më të mirë e shkodranëve Balaj-Guri, janë të domosdoshme për të dalë nga ky moment dhe për të synuar kualifikimin për në Euro 2020.



(Kosova Sot)