Francë-Gjermani, si një “match ball” për trajnerin Joachim Löw

  • 16 October 2018 - 16:30
Francë-Gjermani, si një “match ball” për trajnerin Joachim Löw

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Löw, është në rrezik të qartë. Pas tri ndeshjeve të fundit radhazi zyrtare, pa asnjë fitore, pa asnjë gol të shënuar në to; mund të ndodhë që përsëri të humbasë sonte në një lojë kyçe për kualifikimin në grupin A të Ligës së Kombeve.

Pozita e trajnerit gjerman është shumë e diskutueshme, në kuotat më të ulëta dhe seriozisht ne “fije të perit”, sepse vjen pas dështimit spektakolar në Kupën e Botës së Rusisë dhe humbjes turpëruese të javës së kaluar, kundër Holandës (3-0).

Joachim Löw arriti në krye të “Mannschaft” në gusht 2004, ndërsa më parë kishte qenë asistent i Jurgen Klinsmann, në atë kohë. Vetëm ai e ka mbajtur pozicionin e tij të tanishëm që nga korriku i vitit 2006. Midis asaj kohe dhe të tashmes kanë kaluar, ndër të tjera, momente shumë kulmore, siç ishte fitimi i Kupës së Botës në vitin 2014.

Por, aktualisht, vetë Löw është si ai boksieri i lëshuar në litarët e ringut. Trajneri i Gjermanisë njoftoi dje disa ndryshime në formacionin startues, që do të luajë Paris: “Ne duhet të përmirësojmë taktikën, do të ketë ndryshime. Duam t’i përmirësojmë gjërat, që nuk i kemi bërë mirë kundër Holandës”.

Low nuk dha detaje se cili lojtarë do të ndryshojnë, por e bëri të qartë se Manuel Neuer, kapiteni, do të vazhdojë si titullar në portë. Brandt, Draxler dhe Sané, të cilët nuk ishin startues kundër Holandës, mund të jenë disa nga lojtarët e freskët në një ekip, që duhet të ndryshojë patjetër fytyrë. Boateng është në “bokse” për shkak të lëndimit.

Franca, ndërkohë, vjen në këtë përballje me çdo gjë të mirë që ka: Griezmann, Kylian Mbappé, Giroud, Pogba… “Les Bleus” mund të jenë arkitektët e bjerrjes së gjermanëve edhe në Ligën e Kombeve, pas Botërorit të kësaj vere në Rusi. Gjithçka do ta vërtetojë fusha e blertë mbrëmjen e sotme, teksa është fakt se Gjermania ka vetëm një pikë në grup dhe pozicionohet e fundit. Një sfidë për “jetë a vdekje” në Paris…, një “match ball” për trajnerin Joachim Löw.

 

(Kosova Sot)