Mesfushori i Barcelonës gjobitet me 370 mijë euro pas përleshjes me këngëtarin turk

  • 16 October 2018 - 17:01
Mesfushori i Barcelonës gjobitet me 370 mijë euro pas përleshjes me këngëtarin turk

Mesfushori i Barcelonës i huazuar në Istanbul Basaksehir, Arda Turan, është gjobitur me 370 mijë euro pas një përleshjeje që kishte shkaktuar me këngëtarin e njohur turk, Berkay Sahin.

31-vjeçari Turan e ka pranuar në llogarinë e tij në Instagram se ai kishte pasur një argument me këngëtarin në fjalë, mirëpo pretendon se detajet e këtij incidenti janë ekzagjeruar nga mediat.

Mediat kanë raportuar se përleshja kishte filluar pasi që Turan i ishte afruar bashkëshortes së Berkayit. Raportohet se ai i kishte thënë asaj: “Nëse nuk do të isha i martuar, nuk do ta humbisja një vajzë si ty”.

Kur e kishte dëgjuar këtë, Berkay i ishte afruar mesfushorit, si dhe e kishte dërguar bashkëshorten e tij në shtëpi, në mënyrë që ai dhe Turani të merreshin vesh ndërmjet vete. Menjëherë pas kësaj, Turan raportohet se e kishte goditur Berkayin dhe ia kishte thyer hundët.

Mirëpo, i gjithë incidenti nuk përfundoi aty, pasi që Turani e kishte marrë një armë dore dhe kishte shkuar në spital për ta gjetur Berkayin. Aty i kishte thënë atij: “Nuk e dija se ajo është bashkëshortja jote. Më vjen keq, vramë menjëherë”.

Përkundër që Turani i ka mohuar detajet e këtij incidenti, bordi i Istanbul Basaksehirit e ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm për ta diskutuar këtë incident dhe përmes një deklarate e ka konfirmuar se Turani është gjobitur me 370 mijë euro.



(Kosova Sot)