Barça e mohon se oferta e re për Messin është në tavolinë

  • 17 October 2018 - 10:56
Barça e mohon se oferta e re për Messin është në tavolinë

Zëdhënësi i Barcelonës, Josep Vives, ka bërë të ditur se klubi katalonas nuk janë duke punuar për rinovimin e kontratës së yllit argjentinas, Lionel Messit, pasi që ai sapo ka nënshkruar kontratën e tij të re.

Argjentinasi e kishte rinovuar kontratën e tij deri më 30 qershor të vitit 2021 në nëntor të vitit të kaluar. Kontrata e tij do të jetë e vlefshme deri kur ai të bëhet 34-vjeçar, megjithatë katalonasit nuk brengosen për këtë gjë.

Javën e kaluar u raportua se Barcelona dëshiron t’ia rinovojë kontratën Messit deri të paktën vitin 2022, ose deri në vitin 2023. Megjithatë, këto spekulime i ka mohuar zëdhënësi i Barcelonës, i cili ka thënë se klubi nuk është duke menduar për kontratën e re.

“Rinovimi i kontratës së Messit nuk është duke u diskutuar tani. Ne sapo e kemi rinovuar kontratën e tij, kështu që kjo pyetje tingëllon si një anekdotë”, ka thënë Vives.

Në kontratën aktuale të Messit, ai ka klauzolë prej 700 milionë eurosh, mirëpo kjo klauzolë nuk vlen edhe për klubet më të vogla. Për t’u transferuar në një klub jo elitar, Messi mund të shkojë edhe si transferim i lirë.

Argjentinasi është njëri ndër sportistët më të paguar në botë dhe ai fiton rreth 50 milionë euro çdo vit me Barcelonën.

(Kosova Sot)