Dybala frikëson Juventusin, lëndohet në ndeshjen ndaj Brazilit

  • 17 October 2018 - 12:16
Dybala frikëson Juventusin, lëndohet në ndeshjen ndaj Brazilit

Ylli argjentinas është larguar i lënduar nga fusha në miqësoren e djeshme.

Supersfida ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës nuk dhuroi spektakël ashtu siç pritej dhe një dështim në këtë takim ishin lojtarët e Albicelestes që u mposhtën në fund.

Madje gjërat u përkeqësuan edhe më shumë kur Paulo Dybala u largua nga fusha.

Prezenca e Dybalas në formacion, përkrah Icardit dhe Correas në sulm, u kontestua nga tifozët argjentinas, që më pas duartrokitën zëvendësimin me Lautaro Martinez.

Por, sikur vetëm kjo të mos mjaftonte, imazhet që erdhën nga stoli, ende pa kaluar një orë lojë, kanë shkaktuar ankth te Juventusi.

Në momentin kur po tregonin pamje nga stoli i Argjentinës, kamerat kapën momentin kur Dybala po mbante një qese akulli në gjurin e djathtë dhe një tjetër poshtë kofshës.

Ndoshta ky ishte sinjal i një dëmtimi të mundshëm për sulmuesin e kampionëve të Italisë, që në orët në vazhdim do të kthehet pranë skuadrës.

Ende nuk dihet nëse ky ishte ndonjë lëndim për Dybalan, apo thjesht një shqetësim i vogël i cili nuk e rrezikon sulmuesin argjentinas të luajë me Juven në fundjavë.

 

(Kosova Sot)