Koeman: Depay ishte gjykuar padrejtësisht

  • 17 October 2018 - 12:18
Koeman: Depay ishte gjykuar padrejtësisht

Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, pati lavdërime për Memphis Depay, pasi sulmuesi e vazhdoi formën e tij të mirë edhe kundër Belgjikës. Depay asistoi golin e Arnaut Groeneveld, duke e ndihmuar Holandën të marrë barazimin 1:1 në miqësoren e së martës, në Bruksel.

Kjo ndodhi tri ditë, pasi lojtari i Lyonit shënoi në fitoren mahnitëse të “tulipanëve”, 3:0 ndaj Gjermanisë. Depay ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asiste në Ligue 1, këtë sezon. Koeman ishte plot falënderime për 24-vjeçarin, i cili luajti 90 minuta në të dyja ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

“Ai është i shkëlqyeshëm, po kthehet në lojtarin më të mirë. Ka zhvilluar dy ndeshje të mëdha, na duhet shumë kjo, veçanërisht në pozicionet sulmuese. Ai po e tregon më së miri veten te Lyon, por tani edhe me Holandën”, – vlerësoi trajneri i Holandës.

Koeman tha se Depay ishte gjykuar padrejtësisht, duke vuajtur gjatë qëndrimit për një sezon e gjysmë te Manchester United: “Ai e di se është një nga emrat e parë, që shkruaj çdo herë kur bëj listën e grumbullimit të Holandës. Depay e ndjen shumë fanellën e kombëtares, flet në fushë për këtë.

Ai duhet të jetë i rëndësishëm edhe jashtë fushës, është rritur shumë, punon me shokët e skuadrës. Shumë njerëz kanë ide të gabuara për të. Ai ka liri këtu, kjo është ajo që e bën Memphis më të mirë. Po kthehet si më i miri, është gëzim për ta parë duke luajtur kështu”.

 

(Kosova Sot)