Real Madridi ankohet në Federatën e Futbollit të Spanjës për ndeshjen e Barçës në Miami

  • 17 October 2018 - 13:39
Real Madridi ankohet në Federatën e Futbollit të Spanjës për ndeshjen e Barçës në Miami

Real Madridi i ka shkruar Federatës së Futbollit të Spanjës për t’u ankuar për ndeshjen mes Barcelonës dhe Gironës që planifikohet të zhvillohet në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndeshja në fjalë, e cila do të zhvillohet më 26 janar të vitit të ardhshëm, do të ishte ndeshja e parë e La Ligës që zhvillohet në Amerikën e Veriut, gjë e cila është pjesë e një marrëveshje 15-vjeçare mes La Ligës dhe kompanisë Relevant për t’i zhvilluar disa ndeshje të ligës spanjolle çdo sezon në SHBA dhe Kanada.

Real Madridi nuk është i kënaqur me këtë vendim, pasi që mendon se Barcelona mund të përfitojë nga kjo ndeshje më shumë se Girona, e cila këtë ndeshje do të duhej ta zhvillonte në stadiumin e tij. Për këtë arsye, madrilenët i kanë dërguar letër Federatës së Futbollit të Spanjës.

“Së pari, ne duam ta bëjmë të ditur që Real Madridi nuk është informuar asnjëherë që La Liga kërkon ta zhvillojë këtë ndeshje në Miami dhe kurrë nuk jemi pyetur se çfarë mendojmë për këtë gjë”, shkruhet në letrën e Real Madridit, të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i klubit, Jose Angel Sanchez.

“La Liga nuk kërkoi të arrinte marrëveshje me Real Madridi, përkundër faktit që kjo ndeshje ndikon në garën në të cilën marrim pjesë edhe ne. Nuk mund ta harrojmë se liga vendore është një garë ku marrin pjesë 20 klube dhe jo dy”.

“Është e rëndësishme që sa herë që dy skuadra ndeshen mes vete dy herë, njëra të jetë në shtëpi, ndërsa tjetra si mysafir, pasi që kjo e garanton integritetin dhe barazinë në këtë garë. Për këtë arsye, Real Madridi e kundërshton ofertën për t’u zhvilluar ndeshja në stadiumin Hard Rock në Miami pasi që kjo e ndikon integritetin dhe barazinë e garës”.

Një zyrtar i La Ligës ka bërë të ditur të mërkurën e javës së kaluar se asnjë klub nuk do të detyrohet të luajë asnjë ndeshje jashtë Spanjës, pasi që kjo gjë bëhet në baza vullnetare. Megjithatë, këtë marrëveshje e kanë kundërshtuar edhe Federata e Futbollit të Spanjës, Qeveria spanjolle, FIFA dhe UEFA. 

(Kosova Sot)