Kapiteni i Italisë u bën thirrje futbollistëve të nisin një karrierë të dytë pas pensionimit

  • 17 October 2018 - 16:28
Kapiteni i Italisë u bën thirrje futbollistëve të nisin një karrierë të dytë pas pensionimit

Kapiteni i Italisë dhe Juventusit, Giorgio Chiellini, u ka bërë thirrje futbollistëve të mendojnë më shumë për nisjen e karrierës pas futbollit. Chiellini i bëri këto komente pasi e nisi fushatën e udhëhequr nga unioni global i lojtarëve.

Chiellini, 34-vjeçar, ka diplomuar në ekonomi dhe administratë të biznesit.

Por, vetëm 13% të futbollistëve kanë të kompletuar edukimin e lartë krahasuar me 53% të burrave në Evropë, thotë Fifpro.

“Në moshën 35-vjeçare, karriera juaj ka përfunduar pak a shumë, e pastaj e ke përpara pjesën e mbetur të jetës”, tha Chiellini.

“Si futbollist, duhet të fillosh të mendosh për jetën pas futbollit në fillim të karrierës jo në mbarim të saj”, shtoi ai.

Chiellini, i cili vlerësohet si ndër mbrojtësit më të mirë në futbollin evropian, i ka fituar shtatë tituj në Serie A me Juventusin, por thotë se studimet nuk e kanë penguar në karrierë.

“Studimet më kanë ndihmuar ta liroj presionin në botën e futbollit dhe ta mbaj trurin e mprehtë”, shtoi ai.

 

(Kosova Sot)