Drita "terrorizon" Ballkanin

  • 18 October 2018 - 08:49
Drita
Dy ndeshjet e shtyra zhvillohen në muajin nëntor

Pa asnjë dyshim, kjo javë mund të cilësohet si javë e sulmuesve, pasi u shënuan jo më pak se 18 gola në katër ndeshje, gjë që nuk ndodh shpesh në futbollin kosovar


Me ndeshjet që janë zhvilluar dje është mbyllur java e 10- të e Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Në fakt, kjo xhiro pati dy ndeshje më pak, pasi përballja Ferizaj - KEK-u dhe Feronikeli - Prishtina janë shtyrë dhe do të zhvillohen tek në muajin nëntor. Padyshim, vëmendja e kësaj jave ka qenë në Podujevë, aty ku u ballafaquan Llapi e Gjilani, dy skuadra këto që po e pretendojnë titullin e kampionit. Gjithsesi, këtë herë ishte Llapi që festoi dhe përkundër telasheve të mëdha që kishte ditëve të fundit, ku u larguan trajneri Bylbyl Sokoli dhe kryetari i klubit Nexhat Dumnica, në fushë asgjë nuk ndryshoi dhe Llapi u duk superior ndaj Gjilanit. Një sfidë ku pati festival golash ishte ajo në Gjilan, ku Drita e ka shkatërruar Ballkanin e Sami Sermaxhajt duke e mposhtur me rezultat 6:1. Të kujtojmë se një ditë më parë janë zhvilluar dy ndeshje të tjera ku gjithashtu u shënuan shumë gola. Flamurtari u deklasua në Prishtinë nga Drenica, ndërsa Trepça'89 e traumatizoi Lirinë në Prizren.  

Javë e sulmuesve
Llapi nuk ka shfaqur asnjë lloj pengese, edhe pse në sfidën e djeshme në fushë zbriti pa dy njerëzit kryesorë, trajnerin dhe kryetarin e klubit. Skuadra e udhëhequr dje nga Fadil Ademi ka shënuar lehtësisht fitore ndaj Gjilanit duke e mposhtur me rezultat 3:1. Sulmuesi i talentuar Festim Alidemaj ishte ai që hapi serinë e golave për ekipin vendas kur shënoi qysh në minutën e 6-të. Gjilani kishte rast të artë për t'u rikthyer në lojë, kur në minutën 40-të u akordua penallti, por i pasaktë ishte mesfushori Ansi Nika. Kjo sikur ndikoi negativisht tek lojtarët gjilanas, të cilët më pas pranuan edhe dy gola të shënuar nga Egzon Sinani dhe Edon Zeqiri ndërsa krejt çfarë mundi të bëjë Gjilani ishte një gol i shënuar nga Endrien Magani. Në takimin tjetër të ditës së djeshme të zhvilluar në Gjilan, Drita e ka sakatuar Ballkanin duke e mposhtur me rezultat 6:1. Drita me këtë fitore sikur dha sinjale se e ka lënë anash krizën që kishte në fillim të këtij kampionati. Për Shpëtim Durën kjo është fitorja e dytë më radhë. Betim Haxhimusa (2 gola), Fidan Gërbeshi, Fillonit Shaqiri, Endrit Krasniqi, Blendi Baftiu ishin shënuesit e golave për Dritën, ndërsa golin e nderit për Ballkanin e shënoi Liridon Kukaj. Të kujtojmë se Ballkani nga minuta e 49-të luajti me në lojtar më pak pas përjashtimit të Besnik Krasniqit me karton të kuq

Liderët pushojnë
Dy skuadrat kryesore në luftë për titull, Feronikeli që pozicionohet në vendin e parë në tabelë dhe Prishtina e dyta, këtë mesjavë nuk kanë luajtur pasi Komisioni i Gara e vendosi ta shtyjë ndeshjen për shkak që Prishtina kishte disa futbollistë të grumbulluar në kombëtare. Me të njëjtën arsye është shtyrë edhe ndeshja Ferizaj - KEK-u, ku ky i fundit pati disa lojtarë të përfshirë në ekipin e grupmoshave te Kosovës. Një ditë më parë janë zhvilluar dy ndeshje të tjera, ku Trepça'89 e deklasoi Lirinë duke e mposhtur e rezultat 4:0, ndërsa me rezultat 3:0 fitoi Drenica në Prishtinë. Pa asnjë dyshim, kjo javë mund të cilësohet si javë e sulmuesve, pasi u shënuan hiç më pak se 18 gola në katër ndeshje.

(Kosova Sot)