Prizrenasit assesi të këndellen

  • 18 October 2018 - 08:51
Prizrenasit assesi të këndellen
Humbje me 30 pikë dallim nga Beroe  

Bashkimi nuk e ka nisur aspak mirë edicionin e ri. Kampionët e Kosovës në Superligë kanë një fitore dhe tri humbje, derisa në ndeshjen e parë në Ligën Ballkanike pësuan nga Beroe në shtëpi me 30 pikë dallim. Prizrenasit shpresojnë se do të këndellen në vazhdim të garave


Bashkimi nuk është ai i edicionit të kaluar. Në stinorin e kaluar ishin finalist të Kupës së Kosovës në basketboll, fituan titullin për herë të parë në histori, si dhe ishin finalist të Ligës Ballkanike. Megjithatë, në këtë edicion e kanë nisur shumë keq. Klubi ka pësuar ndryshime, që nga kryesia, shtabi teknik dhe lojtarët. Në Superligën e Kosovës në basketboll kanë një fitore (80:77 ndaj Ponte Prizrenit) dhe tri humbje. E fundit ishte nga Z Mobile Prishtina me rezultat të thellë 111:63. Por, aspak mirë nuk e kanë nisur as në Ligën Ballkanike, ku në sfidën e parë pësuan debakël nga Beroe 107:77. Prizrenasit gjatë tërë takimit kanë qenë në disavantazh që u thellua në çerekun e tretë. Jordan Capps ishte më i miri te Bashkimi me 19 pikë dhe pesë kërcime. Ai u ndihmua nga Ergin Grosha me dhjetë pikë. Te Beroe shkëlqeu James White me 21 pikë dhe katër kërcime. Bashkimi është nënkampion nga edicioni i shkuar dhe një sukses i tillë rëndon shumë mbi skuadrën prizrenase, pasi këtë vit llogaritet se ka larg ekip më të dobët se që kishte. 

Ekip ndryshe nga edicioni i kaluar
Bashkimi ka komplet ekip ndryshe nga edicioni i kaluar. Trajneri Krunoslav Krajnoviq megjithatë ishte i kënaqur me lojën e basketbollistëve të Bashkimit. "Mendoj se kemi luajtur më mirë se në ndeshjen e fundit (kundër Prishtinës), por Beroe ka një ekip të fortë dhe me përvojë. Ata kanë luajtur shumë mirë, në mënyrë agresive në mbrojtje dhe na kanë shkaktuar shumë probleme. Mendoj se në përgjithësi duhet të jemi të lumtur, sepse kemi luajtur më mirë se në ndeshjen e fundit në Prishtinë. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme", ka thënë trajneri i Bashkimit pas ndeshjes. Prizrenasit ishin të barabartë vetëm në çerekun e parë që përfundoi 24:27, por më pas bullgarët morën lojën në duar dhe deri në fund e thelluan edhe më shumë epërsinë, duke fituar në fund me 30 pikë dallim, 107:77. Bashkimi edicionin e kaluar në finale të Ligës Ballkanike ishte mundur nga Levski me rezultat 72:83. 

Liga më pak atraktive
Organizatori Michael Martin shënoi 16 pikë, gjashtë asistime dhe gjashtë kërcime, por nuk arriti më shumë të ndihmojë skuadrën e tij. "Jemi munduar shumë në pjesën e parë. Mendoj se në pjesën e dytë ishim më të lodhur, dhe kur jeni i lodhur atëherë ju nuk arrini të jepni më të mirë në fushë. Ne po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, dhe për suksese duhet kohë", ka deklaruar basketbollisti i Bashkimit pas ndeshjes. Prizrenasit në ndeshjen e ardhshme do të ballafaqohen me Teutën më 23 tetor, ku me gjasë mund të arrijnë fitoren e parë në këtë edicion. Skuadra shqiptare është debutuese në këtë garë. Gjithashtu në këtë edicion është rikthyer edhe Prishtina, që e ka fituar dy herë këtë ligë. Kryeqytetasit gjithashtu janë pjesëmarrës në FIBA Europe Cup, kurse në Ligën e Kampionëve u eliminuan në xhiron e parë. Në këtë stinor të Ligës Ballkanike po marrin gjashtë skuadra, ku katër do të kalojnë në gjysmëfinale. Në këtë stinor ka më pak skuadra se në edicionet e kaluara, dhe kjo e bën më pak interesante këtë ligë, ku nga gjashtë skuadra pjesëmarrëse tri janë shqiptare, dy bullgare dhe një maqedonase. 

(Kosova Sot)