Shpresat bindin, 1-1 me Izraelin me 10 lojtarë

  • 03 September 2015 - 18:20
Shpresat bindin, 1-1 me Izraelin me 10 lojtarë

Shqipëria e 21-vjecarëve barazoi 1-1 me Izraelin në ndeshjen e dytë të Grupit 4. Me 10 lojtarë kuqezinjtë e Redi Jupit arritën të marrin një pikë me shumë vlera, pas 90 minutave shumë të luftuara në “Qemal Stafa”, ku rezultoi vendimtare një aksion fantastik i Rashicës dhe më pas penalltia e ekzekutuar nga Cekici.

Si Izraeli gjithashtu dhe Shqipëria kishin fituar të dyja ndeshjet e para në Grup, dhe sfida në “Qemal Stafa” pavarsisht se në një orar të papërshtatshëm nisi menjëherë me shumë ritëm. Miqtë rrezikuan të parët me një goditje shtylle me Shqipërinë që ishte me fat që nuk u ndëshkua. Minutat e para ishin më të mira për izraelianët, ndërkohë që në pjesën e parë kuqezinjtë, provuan në dy tre raste të dilnin me aksione të shpejta në sulm por mungoi pasimi fundit. Në të 29-tën, kuqezinjtë u penalizuan dhe nga dëmtimi i Rej Manajt, që u detyrua të lërë fushën për Avdiajn. Ndërkohë që po në këtë minutë, Izraeli shënoi dhe golin e epërsisë me Hugyn.

Pjesa e dytë nisi sërish me probleme për kuqezinjtë, me Albion Avdiaj që pretendoi për një 11-metërsh të favor të skuadrës sonë, por kryesori Ivanov nuk pa një prekje me dorë nga ana e izraelianëve. Ky moment duket se nervozoi Avdiaj që pak caste më pas u ndëshkua me të kuq. Pavarsisht se në inferioritet Shqipëria luajti me zemër. Izraeli megjithatë në më shumë se një rast rrezikoi të shënonte golin e dytë. Kuqezinjtë rezistuan dhe në të 82-të, Rashica me një aksion personal dribloi me radhë mbrojtësit kundërshtar duke fituar dhe një 11-metërsh ,të cilin Endri Cekici e shndërroi në gol.

Në minutat e mbetura Shqipëria kërkoi dhe fitoren por nuk arriti dot ta marrë duke ndarë nga një pikë me Izraelin, me dy skuadrat që mbajnë tashmë vendin e parë në grup me katër pikë.