Policia e Liverpoolit përgatit plan të veçantë për ndeshjen kundër Cërvena Zvezdas

  • 18 October 2018 - 17:09
Policia e Liverpoolit përgatit plan të veçantë për ndeshjen kundër Cërvena Zvezdas

Policia e Liverpoolit ka planifikuar një operacion të veçantë policor për përgatitjet e ndeshjes së Liverpoolit kundër Cërvena Zvezdas, më 24 tetor në Ligën e Kampionëve.

Liverpooli do ta presë Cërvena Zvezdan në Ligën e Kampionëve në Anfield, ndërsa policia e Liverpoolit ka qenë duke u përgatitur për çfarëdo lloj problemi që mund të shkaktojnë tifozët serbë, të njohur botërisht për huliganizmin e tyre.

Cërvena Zvezdas i është ndaluar nga UEFA shitja e biletave për tifozët e klubit për ndeshjen në Anfield, pasi që tifozët e tyre kishin hyrë në fushë pas fitores kundër Salzburgut në fazën kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Përkundër këtij ndalimi, tifozët e tyre kishin udhëtuar dhe i kishin blerë biletat për ndeshjet e kaluara. Tifozë të Cërvena Zvezdas ishin parë edhe në stadiumin e PSG-së, gjë për të cilën UEFA planifikon ta gjobitë klubin.

Komandanti i Policisë së Liverpoolit, Paul White, ka bërë të ditur se ata janë të vetëdijshëm që UEFA ua ka ndaluar tifozëve të Cërvena Zvezdas të blejnë bileta për këtë ndeshje në stadiumin Anfield.

“Ne do të ndërmarrim një operacion të veçantë policor dhe do të punojmë bashkë me të dy klubet dhe policinë serbe në përgatitjet për këtë ndeshje, në mënyrë që t’i mbajmë tifozët të sigurt dhe ta mundësojmë lëvizjen e tyre të lirë drejt dhe nga ndeshja”, ka thënë White.

“Do të ketë policë shtesë në detyrë brenda në stadium dhe ne do ta kemi edhe një plan tjetër policor në qendër të qytetit, ku policët do të qëndrojnë edhe gjatë ditës për t’i siguruar spektatorët dhe vizitorët në qytet”.

(Kosova Sot)