Plepolli: Trajnerët duhet të jenë më profesionistë

  • 19 October 2018 - 09:31
Plepolli: Trajnerët duhet të jenë më profesionistë
Ngritja e nivelit të futbollit nuk bëhet duke shkarkuar trajnerë

"Unë nuk mund t'i fajësoj vetëm kryesitë e klubeve për ndërrimet në bankinë. Janë disa trajnerë që mezi presin të ulën në bankinë, pa e analizuar fare situatën dhe gjendjen në atë klub. Jemi bërë 1000 trajnerë dhe në shumë raste shohim që ata u vetofrohen klubeve e mandej shkarkohen pas vetëm 2 ndeshjeve, pasi shkojnë pa asnjë plan të punës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Arsim Plepolli

Në Kosovë sikur është bërë modë që për gjithçka të fajësohet trajneri dhe çdo mungesë e rezultateve të klubit të lidhet me punën e trajnerit. Shumë analistë mendojnë se kryesitë e klubeve janë joprofesionale dhe kjo po ndikon në ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve, vendime këto që po lë pasoja, pasi vërtet po e dëmtojnë imazhin e futbollit tonë. Njohësit vlerësojnë se një klub që bën ndryshime të shpeshta në bankinë, asnjëherë nuk mund të ketë rezultate të qëndrueshme. Megjithatë,njëri nga njohësit e mirë të futbollit kosovar, Arsim Plepolli, mendon se një pjesë e madhe e fajit për ndryshimet e shpeshta në bankinë bien mbi trajnerët, të cilët duke tentuar ta sigurojnë një vend pune nuk kërkojnë as kushte as asgjë vetëm e kërkojnë postin. Drita, Ballkani, Feronikeli, Llapi, Liria janë klubet që kanë bërë ndryshime në shtabin teknik në 10 javët e para të Ipko Superligës, derisa në vazhdim të garave pritet të kemi edhe shumë ndryshime tjera.
 
Image

Kryesitë nuk janë gjithmonë fajtore

 Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli, nuk pajtohet me disa analistë, të cilët i fajësojnë kryesitë e klubeve që po bëjnë ndryshime në shtabin teknik. Plepolli në një bisedë për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se edhe trajnerët janë shumë fajtorë për këtë që po ndodh. "Nuk kisha m'i fajësuar vetëm kryesitë e klubeve, por edhe disa nga trajnerët që mezi presin të ulën në bankinë, pa e analizuar fare situatën dhe gjendjen në atë klub, ata e pranojnë postin", ka thënë Plepolli për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar se në Kosovë është bërë shumë lehtë të bëhesh trajner, por puna e tyre po tregon shumë joprofesionalizëm. "Jemi bërë 1000 trajnerë dhe në shumë raste shohim që trajnerët u vetofrohen klubeve e mandej pas 2 ndeshjeve shkarkohen pasi shkojnë pa asnjë plan të punë", ka vlerësuar Plepolli. 

Trajnerë pa bashkëpunëtorë
Njëra nga arsyet kryesore që po ndodhin ndërrime të shpeshta të trajnerëve, sipas Arsim Plepollit është edhe fakti që trajnerët punojnë të vetëm dhe nuk kanë staf të vetin. Pra, kryejnë shumë punë dhe sigurisht që nuk kanë kapacitete për t'i menaxhuar gjithë ata futbollistë vetëm. "Unë ende nuk kam pa një trajner që ka stafin e vet dhe që shkojnë si grup një klub për ta udhëhequr. Përveç kësaj, shohim se e pranojnë detyrën pa e shikuar fare gjendjen aktuale të atij klubi dhe sigurisht që pastaj ndodhin shkarkime", ka thënë Plepolli, duke shtuar se disa njerëz të futbollit e pranojnë punën vetëm sa për t'ju figuruar në statistika. "Me keqardhje them se disa trajnerë po e marrin detyrën në një klub vetëm sa për ta pasuruar "CIVIN" dhe nuk kemi pse të çuditemi, pastaj shkarkohen menjëherë. Pra, një trajner kur merr ofertë nuk duhet të ngutet dhe ta pranojë detyrën pa e versuar aspektin profesional të atij klubi. Ndryshe nuk ka se si t'i shpëtojë shkarkimit", ka përfunduar Arsim Plepolli

(Kosova Sot)