Dovizioso, “pole position” në Japoni, shpresa të zbehta për titullin

  • 20 October 2018 - 11:27
Dovizioso, “pole position” në Japoni, shpresa të zbehta për titullin

Andrea Dovizioso po i mban ende gjallë shpresat e zbehta për titull në “MotoGP”, teksa me Ducatin e tij siguroi “pole position”-in për garën e Çmimit të Madh të Japonisë vetëm në momentet e fundit të provave zyrtare.

Italiani, i cili do të duhet të përsërisë fitoren e vitit 2017 në Japoni për të shtyrë kurorëzimin e Marc Marquezit si kampion bote, regjistroi xhiron më të shpejtë me 1 minutë, 44 sekonda dhe 59 të qindtat, ndërsa rivali spanjoll u ndal vetëm në vendin e 6.

Marquez, Dovizioso apo Jorge Lorenzo kanë siguruar “pole position”-in në 9 garat e fundit të “MotoGP”, apo siç njihet ndryshe, klasi mbretëror. Një ecuri kjo që për pak sa nuk u prish, kur Jack Miller kryesonte pak sekonda nga fundi i provave. Ishin pikërisht këto sekonda, kur Dovizioso me Ducatin dhe Johann Zarco me Yamaha prodhuan xhirot e tyre më të shpejta, për ta rrëzuar Millerin në vendin e tretë.

Cal Crutchlow (Honda), Andrea Iannone (Suzuki) dhe Marquez (Honda) do të nisen të dielën nga vija e dytë, ndërsa pas tyre Maverick Vinales (Yamaha), Alex Rins (Suzuki) dhe Valentino Rossi (Yamaha).

Marquez, i cili ka 77 pikë më shumë sesa Dovizioso, kur kanë mbetur në lojë edhe 100 pikë në 4 garat e fundit sezonale, mund të fitojë titullin e tretë radhazi kampion, nëse përfundon përpara rivalit italian. 

(Kosova Sot)