Usain Bolt merr ofertë edhe nga një klub tjetër

  • 21 October 2018 - 15:11
Usain Bolt merr ofertë edhe nga një klub tjetër

Menaxherët e Usain Boltit e kanë konfirmuar se rekordmenit të atletikës i është ofruar një kontratë nga klubi australian, Central Coast Mariners.

Ish-ylli i atletikës ka qenë duke u stërvitur me këtë klub australian që nga gushti i këtij viti, si dhe ka arritur t’i shënojë dy gola në një ndeshje të këtij muaji, gjatë turneut parasezonal.

Tetë herë kampioni i Lojërave Olimpike kishte marrë edhe një ofertë nga kampioni maltez, Valetta. Këtë ofertë e kishte refuzuar menjëherë Bolti, përkundër që nuk kishte qenë i sigurt se do të merrte ofertë nga australianët.

Të dielën, përfaqësuesit e Boltit ishin lajmëruar nga drejtori i Central Coast Mariners, Shaun Mielekamp, se klubi dëshiron t’i ofrojë Boltit një kontratë për të vazhduar aty karrierën si futbollist.

Mielekamp ishte pyetur për këtë ofertë menjëherë pas ndeshjes së klubit australian kundër Brisbane Star të dielën, dhe ai ishte përgjigjur për këtë gjë duke thënë: “Nuk mund të komentoj për këtë gjë... dhe dua të përqendrohem në ndeshje”.

Bolt ka qenë duke kërkuar ta fillojë karrierën e tij si futbollist që nga 2017-ta, kur u pensionua nga atletika pas Kampionatit Botëror në Londër. 

 

(Kosova Sot)