Simeone: Është shumë mirë për La Ligën që rivaliteti Messi – Ronaldo s’ekziston më

  • 21 October 2018 - 15:13
Simeone: Është shumë mirë për La Ligën që rivaliteti Messi – Ronaldo s’ekziston më

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, beson se La Liga është bërë një garë më interesante dhe më garuese tani që vëmendja është larguar nga lufta mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për tituj.

Atletico Madridi e humbi mundësinë për ta arritur përkohësisht pozitën e parë në tabelën e La Ligës, kur golit të Filipe Luisit, Villareali iu përgjigj përmes golit të Mario Gasparit.

Thomas Lemar e humbi një mundësi të mirë në fund të ndeshjes për ta kthyer epërsinë, ndërsa pritjet e portierit Jan Oblak gjatë pjesës së fundit të ndeshjes rezultuan të jenë vendimtare për rezultatin përfundimtar.

Ky rezultat ia mundësoi Barcelonës ta merrte vendin e parë në La Liga. Por, pasi që Real Madridi e humbi edhe ndeshjen e tretë gjatë këtij sezoni, Simeone ishte i lumtur përkundër që skuadra e tij nuk kishte arritur të fitonte dhe ai diskutoi për natyrën e hapur të garës.

“La Liga është fantastike për momentin. Është kaotike, të gjitha skuadrat janë duke garuar dhe luftuar për të marrë pikë. Është më garuese tani se atëherë kur Ronaldo dhe Messi e përkufizonin këtë garë”, ka thënë Simeone.

“Jemi duke menduar vetëm për veten. Sot e kishim të vështirë, një ndeshje e vështirë kundër një rivali të fortë. Ne tentuam të luanim si të fortë në pjesën e parë për të reaguar ndaj nevojës së Villarealit për të fituar”.

 

(Kosova Sot)