“Hazardi dhe Williani nuk i besojnë Moratas”

  • 21 October 2018 - 16:40
“Hazardi dhe Williani nuk i besojnë Moratas”

Ish-trajneri i Chelseat, Ruud Gullit, ka thënë se ylli belg, Eden Hazard, dhe ylli brazilian, Willian, nuk i besojnë qendërsulmuesit spanjoll të skuadrës, Alvaro Morata.

Morata nuk ka arritur ta dëshmojë talentin e tij deri më tani në Chelsea që kur u transferua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017. Madje, sezonin e kaluar ai kishte kaluar aq keq, sa e ka pranuar që kishte vuajtur nga depresioni.

Qendërsulmuesi spanjoll i kishte shënuar 11 gola në sezonin e tij të parë në Premierligë, megjithatë ai gjatë atij sezoni kishte pasur probleme për shkak të një lëndimi në shpinë. Megjithatë, ai nuk ka arritur të përmirësohet as këtë sezon, kur i ka shënuar vetëm dy gola nga tetë paraqitje.

Këto performanca të Moratas gjatë këtij sezoni nuk janë plotësisht për shkak të trajnerit Maurizio Sarri, pasi që Gullit beson se edhe bashkëlojtarët kanë faj për këto performanca, pasi që ata nuk po i japin mundësi spanjollit për të shënuar.

“Bashkëlojtari e tij nuk po krijojnë asnjë mundësi për të. Pjesa më e keqe është se ne e shohim Willianin dhe Hazardin gjithmonë duke dribluar dhe duke hyre brenda zonës së portierit, pasi që nuk i besojnë Moratas”, ka thënë Gullit.

“Gjithashtu, edhe kur ka ndonjë krosim, mendoj se ishte një moment në pjesën e parë të ndeshjes kundër Manchester Unitedit, kur unë e pyeta veten se ku është Morata, ai nuk ishte në zonën e portierit. Kështu që, ata nuk i besojnë atij”.

(Kosova Sot)