Gjilani ia shkakton humbjen e parë liderit Feronikelit, Trepça '89 barazon me Llapin

  • 21 October 2018 - 17:45
Gjilani ia shkakton humbjen e parë liderit Feronikelit, Trepça '89 barazon me Llapin

Feronikeli e ka pësuar humbjen e parë këtë sezon në ndeshjen si mysafir kundër Gjilanit, me rezultat 1-0, në xhiron e 11-të të këtij sezoni të Superligës, ndërsa Trepça '89 ka barazuar në ndeshjen ndaj Llapit me rezultat 1-1.

Golin e vetëm në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan e shënoi në minutën e 66-të e Jefferson Lopes, i cili përmes kësaj goli arriti t’ia shkaktojë Feronikelit humbjen e parë të këtij sezoni.

Ndërsa, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, pikët u ndanë mes Trepçës '89 dhe Llapit. Fillimisht, Trepça kishte kaluar në avantazh përmes golit të shënuar nga Blagojvec Gucev, megjithatë vetëm 10 minuta më vonë rezultati ishte barazuar, pasi që Festin Alidema kishte arritur ta shënojë golin e barazimit nga distanca.

Trepça '89 kishte luajtur me një lojtar më pak në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që Blagojvec Gucev ishte ndëshkuar me karton të kuq në fund të pjesës së parë. Megjithatë, Llapi nuk arriti ta shfrytëzojë këtë përparësi dhe ndeshja përfundoi me rezultat 1-1.

Feronikeli vazhdon ta mbajë pozitën e parë në Superligë, ndërsa Gjilani pozicionohet në vendin e pestë. Në anën tjetër, pas këtij barazimi, Llapi e merr vendin e tretë, me tre pikë më pak se kryesuesit, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar, ndërsa Trepça '89 në pozitën e tetë. 

 

(Kosova Sot)