"Shumë klube stërviten ende tri herë në javë"

  • 22 October 2018 - 08:53

Skuadrat ballafaqohen me shumë probleme në Kosovë

"Derisa sportistët të stërviten nga një herë në ditë; 90 apo 180 minuta jemi larg cilësimit profesionist. Mos të flasim se klubet e elitës në shumë sporte ushtrojnë nga tre herë në javë. Dihet cili është orari i plotë i punës edhe në sport...", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot"

Klubet sportive të Kosovës me dekada të tëra janë përballur me shumë probleme, ku u kanë munguar edhe kushtet elementare. Edhe pas thyerjes së izolimit, shumë skuadra ende përballen me telashe të ndryshme. Shumë kanë probleme financiare, infrastrukturore, por edhe organizative. Madje, kjo e fundit cilësohet si shumë e rëndësishme, pasi në klube ndodhen njerëz që nuk janë profesionistë. Sa janë profesionistë njerëzit në klube? Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, tregon se janë profesionistë njerëzit që punojnë në klubet e Kosovës. "Për aq sa janë të përkushtuar në klubet e tyre dhe arrijnë qëllimet e planifikuara dhe të programuara afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, aq edhe mund t'i cilësojmë të gjithë ata që sillen e pështillen rreth sportistëve që janë jetësuesit e synimeve të tyre në praktikë. Në sportin tonë fjala profesionist ka mundësi të përdoret lehtësisht, pa marrë parasysh se në çfarë shkalle të organizimit janë klubet dhe cila është puna që ata e bëjnë nëpër skuadrat e tyre. Për fat të mirë, me ndërkombëtarizmin e sportit të Kosovës, kanë dalë në shesh përmbajtjet e organizimit dhe funksionimit të klubeve tona. Që nga futbolli, sporti më popullor edhe në Kosovë, e deri te degët e tjera, ka shumë punë për të bërë.

(Kosova Sot)