Kundërshtohet ndryshimi i logos së Barcelonës

  • 22 October 2018 - 14:03
Kundërshtohet ndryshimi i logos së Barcelonës

Propozimi i Barcelonës për ta ndryshuar logon e klubit nuk u prit mirë nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të klubit, dhe rrjedhimisht presidenti Jose Maria Bartomeu e detyrua ta tërhiqte këtë propozim.

Megjithatë, ndryshimet mund të vijnë prapëseprapë, pasi që Bartomeu e ka cilësuar reagimin e asamblistëve si një problem të vogël dhe ka thënë se logoja duhet të ndryshohet për t’u përshtatur me epokën digjitale.

“Modifikimi i kësaj logoje është një mënyrë e përshtatjes me teknologjitë e reja. Nuk është e përshtatur me këtë epokë digjitale dhe për këtë arsye është e nevojshme të evoluojmë”, ka thënë Bartomeu.

“Pasi i dëgjova njerëzit, e kuptoj se duhet ta shqyrtojmë qasjen tonë për këtë gjë pasi që propozimi nuk ishte i pranueshëm për delegatët”.

Propozimi i Bartomeut ishte që nga logoja e Barcelona të largohen inicialet FCB, si dhe vijat e zeza brenda logos të largoheshin plotësisht. 

 

(Kosova Sot)