Rama, i zhgënjyer për mosgrumbullimin me Shqipërinë

  • 04 September 2015 - 17:15
Rama, i zhgënjyer për mosgrumbullimin me Shqipërinë

Afrimi i tij në Kombëtaren Shqiptare në vitin 2013 u prit me shumë bujë, madje paraqitjet e para të Valdet Ramës me fanellën kuqezi mahnitën edhe trajnerin Gianni De Biasi, i cili për shumë takime me radhë e aktivizoi si titullar 27-vjecarin nga Mitrovica.

Një gol ndaj Norvegjisë në Tiranë, një në miqësoren e fituar ndaj Armenisë në “Qemal Stafa” dhe një tjetër ndaj Islandës ishin fillimi i një karrierë të suksesshme me Shqipërinë. Megjithatë vetëm kaq sepse me kalimin e viteve forma e tij ra ndjeshëm aq sa Rama nuk u grumbullua nga De Biasi për dy ndeshjet e rëndësishme ndaj Danimarkës dhe Portugalisë edhe pse këtu kanë ndikuar edhe dëmtimet e shpeshta që ka pësuar 27-vjecari. Ky fakt nuk i ka pëlqyer aspak mesfushorit me tipare sulmuese të Munich 1860, i cili në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild” ka shprehur gjithë pakënaqësinë e tij për mosgrumbullimin nga De Biasi.

“Jam i zhgënjyer nga fakti që nuk jam grumbulluar në Kombëtare. Do të kisha dëshirë të ndihmoja Shqipërinë me paraqitjet e mia edhe në këto dy sfida. Gjithsesi për momentin e rëndësishme për mua është që jam rikthyer të luaj me Munich 1860. Nuk më mbetet gjë tjetër vecse të fitoj sa më shpejt formën time më të mirë”.

Në shumë raste Valdet Rama është kritikuar edhe nga trajneri i Munich 1860 Torsten Frohling për formën jo shumë të mirë që ka shfaqur sëfundmi, gjithsesi 27-vjecarin shqiptar nuk e shqetëson shumë ky fakt, shkruan SuperSport.al.

“Mendoj se kritikat e trajnerit do të më shërbejnë për t’u përmirësuar. Fakti që ai flet shpeshherë për mua do të thotë që ka besim tek unë dhe pret shumë më tepër. Tani që jam rikthyer nga dëmtimi kam shumë dëshirë të luaj në sfidën e radhës ndaj Dyseldorfit”.