Spanja kërkon hakmarrje ndaj Sllovakisë

  • 05 September 2015 - 10:36
Spanja kërkon hakmarrje ndaj Sllovakisë

Ka ardhur momenti që kampionët e Europës në fuqi të tregojnë forcën e tyre të vërtetë dhe këtë do të provojnë ta bëjnë në stadiumin e Oviedos. E Shtuna futbollistike e eleminatoreve Euro 2016 zbret në fushë Spanjën e Del Bosques për të sfiduar Sllovakinë kryesuese të Grupit C. Kombëtarja “La Roja” i shikon vendasit nga vendi i dytë me 3 pikë më pak dhe vetëm një fitore mund të rikthejë në vend nderin e të besuarve të Del Bosuqes, të cilët nuk dëshirojnë ta shikojnë veten si ndjekës në një Grup relativisht të lehtë në letër. Mbështetja e publikut vendas do të jetë vendimtare për iberikët që do të kenë në dispizicion grupin e plotë. Rreth 11 muaj më parë ishte Sllovakia që i dha leksion Spanjës në Bratisllavë dhe ky është një tjetër motiv që “Demat” të kërkojnë revanshin për t’u rikthyer sërish bindës në arenën ndërkombëtare ku kanë humbur terren gjatë viteve të fundit. Në krahun tjetër, Sllovakia do të luajë pa Martin Skrtel eJuraj Kucka, të dy të pezulluar për shkak kartonësh. Në këtë Grup, Spanja numëron vetëm një humbje, atë në transfertën e Sllovakisë, ndërsa nuk njeh disfatë në shtëpi për eleminatoret e europianit që prej vitit 2003.

Gjithsesi, Sllovakia bashkë me Anglinë, mbeten të vetmet skuadra që në këto eleminatore numërojnë vetëm fitore, plot 6 të tilla në po kaq takime. Ndeshja do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet direkt në kanalet SS2-SS2HD. Po në këtë Grup do të luhen edhe dy sfidat e tjera, Luksemburg-Maqedoni dhe Ukrainë-Bjellorusi. Në Grupin E duket se Anglia është në rrugën e duhur dhe me një fitore të mundshme në San Marino mund të sigurojë biletën për në Euro 2016 pasi Zvicra e ndjek me 6 pikë më pak dhe Sllovenia e vendit të tretë mbetet me 9 pikë. Beteja e vërtetë e këtij Grupi është ajo që do të luhet mes Zvicrës dhe Sllovenisë, skuadra që ndahen nga vetëm tre pikë dhe një fitore e mundshme e bvallkanasve ndaj ekipit të Petkovic mund të rihapë llogaritë për vendin e dytë që siguron një biletë direkte për në Francë. Takimi do të luhet në “St. Jakob-Park” të Baselit ku Zvicra e kolonisë shqiptare synon të fshijë zhgënjimin e disfatës 1-0 në ndeshjen e fazës së parë. Në shtëpinë e saj për eleminatoret e europianit gjatë 16 ndeshjeve të fundit fitore ndaj Zvicrës ka arritur vetëm Anglia një vit më parë.

Skuadra e Petkovic ka fituar terren gjatë 4 ndeshjeve të fundit ku ka grumbulluar 12 pikë, ndërsa Sllovenia numëron 3 fitore dhe 3 humbje në 6 sfidat e para. Në këtë grup shpreson edhe Estonia që mund të ngjitet në vendin e tretë pasi numëron 7 pikë dhe në sfidën e radhës sfidon në derbin e Balltikut, Lituaninë. Në Grupin G, Austria duket se ka marrë arratinë me 16 pikë ndërsa në raundin e shtatë pret Moldavinë për të siguruar një 3 pikësh të lehtë në letër. Sfida më delikate është ajo mes Rusisë e Suedisë, dy skuadra që ndahen nga 4 pikë diferencë në favor të nordikëve të cilët do të kanqeshin edhe me një barazim. Në ndeshjen e parë të luajtur në Stokholm dy skuadrat ndanë nga një pikë por në “Otkrytie Arena” të Moskës, skuadra e drejtuar nga Leonid Slutsky, i cioli mori drejtimin pas largimit të Fabio Capellos, do të këtkojë të mbajë të gjalla shpresat për një kualifikim direk në Euro 2016. Mungesa më e madhe e suedezëve do të jetë Kim Kallstrom, ndërsa Zlatan Ibrahimovic do të jetë i pranishëm në fushë, ndryshe nga takimi i parë ku nuk mundi ta ndihmonte kombëtaren e tij për shkak të një dëmtimi. Po në këtë Grup, Mali i Zi do të presë Lihtenshtejnin për të shpresuar te vendi i tretë që do të thotë play off për ballkanasit që ndjeklin Rusinë nga vendi i katërt me 3 pikë më pak.