NBA, Miami Heat tenton goditjen e madhe Kevin Durant

  • 05 September 2015 - 13:39
NBA, Miami Heat tenton goditjen e madhe Kevin Durant

Largimi i Lebron James në verën e vitit 2014 ishte një goditje e rëndë për Miami Heat që në sezonin e fundit të Nba nuk arriti të kualifikohej dot as në fazën play-off. Skuadra nga Florida afroi në ekip sllovenin Goran Dragic në fillim të vitit 2015-të por kjo nuk mjaftoi pasi mbretin James nuk e zëvendëson dot asnjë. Problemet me shëndetin që pati Chris Bosh penalizuan jo pak Miamin pasi nga tre fantastikët që udhëhoqën skuadrën e drejtuar nga trajneri Erik Spoelstra drejt fitimit të dy titujve kampion në 2012-n dhe 2013-n, në pjesën më të madhe të ndeshjeve zbriti në parket vetëm Dwyane Wade. Këtë verë Miami arriti të mbante në skuadër këtë të fundit duke e bindur të nënshkruante një kontratë të re, si dhe firmosi me Amare Stoudemire e Gerald Green. Por pavarsisht kësaj formacioni nga Florida me shumë mundësi do ta ndiejë edhe gjatë sezonit të ri mungesën e një lideri si James. Për këtë arsye drejtuesit e Miamit kanë nisur që tani nga puna për të bindur një tjetër yll të transferohet në Florida ashtu sic bënë me Lebron-in në 2010-n. Bëhet fjalë për atë që konsiderohet nga të gjithë si basketbollisti i dytë më i mirë që luan aktualisht në Nba pas mbretit James, 26-vjecarin e Oklahomas, Kevin Durant. Mvp-ja i All Star Game në vitin 2012 mungoi në pjesën më të madhe të ndeshjeve gjatë sezonit të fundit për arsye dëmtimi. Megjithatë Durant është riaftësuar plotësisht dhe është gati të ndihmojë Oklahoma City Thunder të paktën edhe për 1 sezon, sepse në verën e vitit 2016 ai do të jetë një lojtar i lirë. Nga ky fakt kërkon të përfitojë Miami. Heat-sat kanë paratë e mjaftueshme në dispozicion për të bindur Kevin Durant të transferohet në American Airlines Arena të Floridas, por sesa do të pranojë ky i fundit, kjo mbetet për tu parë.