Allegri lë të kuptohet se do të largohet nga Juventusi

  • 12 November 2018 - 17:59
Allegri lë të kuptohet se do të largohet nga Juventusi

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka zbuluar se ai do të ishte i hapur ndaj mundësisë për ta drejtuar ndonjë skuadër tjetër në të ardhmen, duke shtuar se do t’i pëlqente të kishte përvojë edhe jashtë Italisë.

Kohëve të fundit është spekuluar se Allegri mund ta zë vendin e Jose Mourinhos si trajner i Manchester Unitedit, pasi që drejtuesit dhe tifozët e “Djajve të kuq” nuk janë të kënaqur me paraqitjet dhe rezultatet e këtij sezoni.

Komentet e tij të fundit vetëm i kanë nxitur këto komente edhe më shumë, pasi që Allegri e thekson se ai do ta shqyrtonte mundësinë e largimit për ta menaxhuar ndonjë klub jashtë Italisë, edhe pse shton se është i lumtur në Juventus.

“E ardhmja ime? Sigurisht që një eksperiencë jashtë Italisë do të ishte e mirë. Por, unë jam i lumtur në Juventus. Unë jam në një skuadër të madhe, në një klub të mirë që punon për të ardhmen. Shpresoj se do të qëndroj këtu për një kohë të gjatë”, ka thënë Allegri.

Skuadra e Allegrit pozicionohet në vendin e parë në tabelën e Serisë A me plot 12 pikë, duke i fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani, përpos një barazimi. Gjithashtu, ata janë në vendin e parë në Grupin H të Ligës së Kampionëve.

Kontrata e Allegrit me Juventusin përfundon në qershor të vitit 2020. Ai u bë trajner i “Zonjës së Vjetër” në vitin 2014, pas katër viteve me Milanin. Gjatë karrierës së tij 15-vjeçare si trajner, ai nuk e menaxhuar asnjë klub jashtë vendlindjes së tij. 

 

(Kosova Sot)