“Bota më shumë e njeh Majlindën, se Republikën e Kosovës”

  • 12 November 2018 - 22:46
“Bota më shumë e njeh Majlindën, se Republikën e Kosovës”

Fituesja e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi ka vlerësuar sonte se tani Kosova po vlerësohet si fuqi botërore e sportit të xhudos, duke u krahasuar Kosovën me ekipin e fermave të Kubës, që për një periudhë kohore ishte më i miri në Botë.

Xhudistet kosovare sonte janë kthyer në Kosovë, të cilat të udhëhequra nga trajneri Driton Kuka në Grand Prixin e Tashkentit në Uzbekistan kanë rrëmbyer tri medalje të arta dhe një të argjendtë, duke e vendosur kështu Kosovën në vendin e parë në renditjen e shteteve për medalje.

Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, e Loriana Kuka rrëmbyen të artën në këtë garë, derisa të argjendtën e mori Nora Gjakova, kurse Kosova si shtet ka lënë prapa shtetet si Azerbajxhani, Gjermania, e Rusia e të tjera.

Koordinatori Nacional për Rini, Kulturë dhe Sport, Rexhep Hoti, në emër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i uroi xhudistet e Kosovës për fitoret e shënuara në Uzbekistan.

“Është një fat i madh që Kosova i ka këto vajza dhe këta djem, sepse duhet të pranuar një fakt, atë që e ka bërë Majlinda me koleget e veta në sport, ka bërë shumë më tepër se sa ka bërë politika. Më shumë bota e njeh Majlindën, se Republikën e Kosovës. Kjo nuk është gjë e keqe, por gjë e bukur, sepse duke e njohur Majlindën, njerëzit e njohin Republikën e Kosovës”, tha Hoti.

“Po kthehemi prej një gare shumë të rëndësishme, Grant Pri në Tashkent, garë kualifikuese për Lojërat Olimpike. Tri medalje të arta, një të argjend, shteti më i mirë, 47 shtete pjesëmarrëse, niveli i garës jashtëzakonisht i fortë. Pas rezultatit të jashtëzakonshëm në Abu-Dabi, ku fituam një medalje të artë, po ashtu tri të argjendta, me katër garues, edhe kësaj radhe me katër garues, tri të arta një të argjend. Javën e kaluar në kampionatin evropian, në moshën deri në 23 vjet, kemi fituar dy medalje të arta. Tri javë jashtëzakonisht të suksesshme, ndoshta më të suksesshmet në historinë e sportit të xhudos”, tha Kuka.  

Ai tha se me Hotin sot kanë biseduar për përfshirjen e sportit të xhudos në nivelin e edukativo-arsimor.

Fituesja e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila i është kthyer garave të xhudos, pas një pauze 14 muajshe, për shkak të një lëndimi që kishte pësuar, me humor tha e paska marr malli ta përjetojë momentin e kthimit si fituese.

“Si ekip kemi qenë shumë të suksesshëm, dhe e kemi befasuar për të mirë Federatën Botërore dhe çdo shtet në Botë. Tash po na krahasojnë me ekipin e fermave të Kubës, që gjithmonë ka qenë një superfuqi në xhudo, kurse tash Kosovën po e shohin si Kuba në atë kohën e vet”, tha ajo.

Kurse garuesja tjetër Nora Gjakova tregoi se nuk është ndjerë mirë kur ka fituar medaljen e argjend, pasi është mësuar të fitojë vetëm medalje të arta.

“Gjatë tërë vitit kam fituar medalje të arta, kjo ka qenë medalja e parë e argjend dhe nuk u ndjeva mirë, sepse është hera e parë që e mora medaljen e argjend dhe nuk u dëgjua edhe një herë himni i Kosovës”, tha Gjakova.

Kukan ë fund tregoi se për të marr pjesë në garat Olimpike, duhet që gjatë një viti olimpik duhet të kenë gjashtë rezultate, ku merren pikët e duhura.

 

(Kosova Sot)