Challandes kritikon ekipin, kërkon më shumë përkushtim

  • 13 November 2018 - 08:43
Challandes kritikon ekipin, kërkon më shumë përkushtim

"Si trajner në situatën në të cilën ndodhemi aktualisht unë duhet që të kem objektiva afatshkurtra dhe për ne aktualisht është e rëndësishme që të arrijmë kalimin në "play-off" të Ligës së Kombeve. Por, po ashtu nuk do të jetë fundi i botës nëse Kosova nuk do të kualifikohet në 'play-off' të Ligës së Kombeve", ka thënë Bernard Challandes.

P ërzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur dje një konferencë për medie në të cilën ka analizuar situatën e përgjithshme në ekipin kombëtar në prag të dy ndeshjeve tejet të rëndësishme kundër Maltës dhe Azerbajxhanit të cilat edhe vendosin fatin e Kosovës në Ligën e Kombeve. Challandes ka theksuar se lojtarëve nuk duhet t'ju bëjmë presion për fitore, por presion për lojë më të mirë se ajo kundër Ishujve Faroe. "Para nesh janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe po dëgjoj prej njerëzve këtu që kërkojnë vetëm fitore, mirëpo më duhet ta përsëris edhe një herë se për mua nuk është gjëja më e rëndësishme fitorja dhe si trajner nuk mund të mendoj vetëm për fitoren, përkatësisht vetëm për rezultatin. Për mua gjëja më e rëndësishme është se si të luajmë më mirë, veçmas pas ndeshjes që e kemi pasur kundër Ishujve Faroe. Pra, tash për tash mendoj vetëm se si të luajmë më mirë. Kjo nënkupton se presioni ndaj ekipit nuk është që të arrijmë fitore, por është që të luajmë më mirë dhe ashtu siç kërkoj unë si ekip dhe të kemi mentalitet më të mirë. Dhe në këtë formë shpresoj të vjen edhe rezultati", ka thënë Challandes para gazetarëve.

Dëshpëruam ndaj Ishujve

Challandes gjatë analizës së dy ndeshjeve të tetorit, ka thënë se është i zhgënjyer me lojën që bën ndaj Ishujve Faroe kur barazuan 1:1 dhe se ajo ndeshje assesi nuk duhet përsëritur. "Nuk jam i kënaqur me paraqitjen që kemi pasur në Ishujt Faroe, nuk ka qenë keq, por definitivisht nuk ka qenë mirë. Prandaj, mendoj se tani është koha që lojtarëve t'ua përcjellë disa gjëra të cilat nuk duhet t'i harrojnë. Ndonjëherë suksesi është i rrezikshëm. Është e qartë se ne duhet të kemi më shumë përkushtim, në disa raste duhet të luajmë pak më thjeshtë dhe duhet të luajmë si ekip sidomos në pjesën defensive", ka theksuar Challandes, duke theksuar se gjatë kësaj jave ai do të paraqet edhe me video disa pamje nga situatat e ndeshjes së fundit ku lojtarët kanë mundur të reagojnë më mirë. "Si trajner në situatën në të cilën ndodhemi aktualisht, unë duhet që të kem objektiva afatshkurtra dhe për ne aktualisht është e rëndësishme që të arrijmë kalimin në "play-off" të Ligës së Kombeve. Por, po ashtu nuk do të jetë fundi i botës nëse Kosova nuk do të kualifikohet në 'play-off' të Ligës së Kombeve. Jam këtu për të vazhduar ndërtimin e një kombëtareje që është në proces. Normalisht që do të ishte zhgënjyese nëse nuk do të kualifikoheshim në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, mirëpo ne duhet të mendojmë për të ardhmen dhe të vazhdojmë procesin e ndërtimit të ekipit dhe të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja", ka vijuar Challandes.

Prurjet e reja, të mirëseardhura Challandes ka thënë se që nga ndeshja me Ishujt Faroe i ka shikuar më shumë se 30 futbollistë, disa prej të cilëve ende nuk janë në rrethin e ngushtë për t'u përzgjedhur, por që janë kandidatë për të qenë pjesë e Kosovës në një të ardhme të afërt. Gjithsesi, ai ka konfirmuar se ka biseduar edhe me Meriton Shabanin e Elvis Rexhbeçajn, të cilët kanë kërkuar pak kohë derisa të vendosin. "Unë do ta dua në ekip atë lojtar që vërtet e dëshiron Kosovën. Unë i dua ata lojtarë që thonë: 'po, unë e dua fanellën e Kosovës dhe dua të luaj për vendin tim'. Kam parë shumë lojtarë dhe e kam një ide të qartë për secilin prej tyre", ka shtuar Challandes duke folur më pas edhe për largimet, me theks të veçantë për Ardijan Ismajlin. "Në rastin e Ismajlit nuk kam folur me familjen apo agjentin e tij. Ishte presidenti tashmë i ndjerë Fadil Vokrri që shkoi në Zagreb. Unë i thashë se nëse ke nevojë do të vij, por ai tha se nuk ishte problem dhe se Ismajli kishte vendosur të luajë për Kosovën. Nganjëherë flasim me familjen, nganjëherë me agjentin, dhe ndonjëherë flasim direkt me lojtarët. Nuk është e lehtë, veçanërisht në Kosovë. Kemi lojtarë me tre pasaporta, dhe presioni është tek ne. Ata kërkojnë të luajnë, ndërkohë kanë mundësi të luajnë edhe për shtete të tjera, Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe Kroacinë. Në filozofinë time të punës është një parim që ne gjithmonë duhet të mendojmë me ne, dhe jo unë, dhe duhet të ndjehemi gjithmonë krenar që jemi pjesë e Kosovës. Nëse dikush nuk e ka këtë ndjenjë, atëherë… në rregullt nuk ka problem. Në fund të fundit duhet ta respektojmë vendimin e secilit futbollist", ka përfunduar Challandes.

 

(Kosova Sot)