Klubet funksionojnë 'SOT PËR NESËR'

  • 13 November 2018 - 08:45
Klubet funksionojnë 'SOT PËR NESËR'

Problemet e klubeve të basketbollit nuk po ndalen as në këtë edicion. Edhe pse ishte pritur të ishte ndryshe, edicioni i ri nisi me shumë telashe. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se klubet funksionojnë pa një strategji afatgjate dhe në këtë mënyrë nuk mund të ketë suksese siç dëshirohet.

Problemet e klubeve të basketbollit kanë ndikuar në shikueshmëri dhe cilësi. Edhe pse ishte pritur një edicion më ndryshe, problemet kanë vazhduar edhe në këtë edicion, dhe kjo po ndikon që shikuesit të largohen nga palestrat. Janë të shumta skuadrat që kanë telashe financiare dhe organizative, madje, edhe skuadrat që kanë luftuar gjithmonë për titull. Kjo e ka zbehur rivalitetin në elitë, që është larg viteve të kaluara. 

Sporti ka nevojë për njerëzit e duhur

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se, është momenti i fundit që zyrtarët e klubeve të intervenojnë për të përmirësuar gjendjen në basketbollin e Kosovës. "Më duket se, tani është momenti i fundit që klubet, zyrtarët e klubeve, pastaj bizneset të fillojnë, të logjikojnë ndryshe dhe të funksionojnë normal. Çka nënkupton kjo normal? Fillimisht nevojitet me zbrit me këmbë në tokë, pastaj nevojitet funksionalizimi i hierarkisë së klubeve. Strukturat e klubeve duhet me qenë nga personat të cilët e dinë dhe kanë njohur në problematikën e klubeve dhe nevojat, që pastaj klubet të funksionojnë normalisht. Të funksionosh normalisht do të thotë që buxheti të jetë i konsoliduar dhe apetit të jenë në bazë të buxhetit, e jo synime ambicioze me buxhet të vogël. Nevojitet stabilitet që në një të ardhme të afërt të ketë lëvizje pozitive. Por, siç po shkojnë gjërat, edhe ky stinor po rrezikon të jetë i dështuar. Unë isha kryetrajner te Lipjani dhe para disa javësh dhashë dorëheqje. Arsyeja është se klubi ishte totalisht i paorganizuar. Ti mund të sigurosh statusin e Superligës, mirëpo, nuk e përfundon e tëra këtu. Përkundrazi atëherë fillon puna e madhe në tërë strukturat e klubit. Nëse nuk ka seriozitet, atëherë sigurisht se nuk ka rrugë tjetër përpos dështimit", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". 

Probleme në shumë aspekte

Shumë probleme kanë lindur për shkak se njerëzit e duhur nuk janë të angazhuar në sport. Krasniqi shton se klubet nuk po mendojnë shumë për të ardhmen, por vetëm për një periudhë të shkurtë që të kenë suksese. "Sporti nuk lejon neglizhencë në asnjë moment dhe mos-përkushtim në punë. Përkundrazi. Nëse nuk ka strategji afatmesme dhe afatgjate, atëherë, çfarë mund të presësh. Jo siç është një fjalë e urtë popullore 'Me hy në mal pa sopat'. Dhe klubet tona me përjashtim të 2-3 prej tyre të gjitha kanë strategji 'sot për nesër'. Pastaj kanë shumë probleme në çdo aspekte. Duhet të ndërruar qasjen, sepse kjo mënyrë e funksionimit të klubeve, vetëm të dërgon në një situatë kaotike dhe pa perspektivë. Është momenti i fundit për të intervenuar, ndryshe, situata do të rëndohet dhe gjendja do të përkeqësosh edhe më shumë. Shpresojmë se fatin e Pejës, nuk do ta ketë Bashkimi, sepse do të ishte goditja e madhe për basketbollin e Kosovës, pa dy klube me traditë në basketbollin e Kosovës. Do të ishte mëkat i madh që edhe prizrenasit të kenë rënie, ashtu sikurse ka ndodhur me pejanët. Adhuruesit e basketbollit nuk e meritojnë këtë gjendje", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën 'Kosova Sot'. Edhe Trepça nuk është e viteve të dikurshme, që luftonte gjithmonë për trofe, dhe kjo ka bërë që këto të 'zëvendësohen' në katërshen e parë nga Ylli apo Rahoveci. 

 

(Kosova Sot)