Sulmohet gazetari që po e hetonte krimin e organizuar dhe tifozët ultras të Juventusit
Gazetari Federico Ruffo, i cili mes tjerash së fundmi e ka bërë një hulumtim ndaj përpjekjeve të krimit të organizuar për të depërtuar tek tifozët ultras të Juventusit, ka qenë viktimë e një tentimi për zjarrvënie të qëllimshme.
Ruffo është autor i raportit të programit të Rai 3 mbi lidhjet e grupit kriminal “Ndrangheta” me anëtarët e grupit të tifozëve ultras të Juventusit, të cilët kanë shitur bileta me çmime të fryra.
Në të ishte edhe vdekja e tifozit të Juventusit, Raffaello Bucci, i cili punonte për klubin por edhe bashkëpunonte me policinë.
Vdekja e tij u cilësua vetëvrasje, edhe pse përgjimet sugjerojnë se ai mund të jetë kërcënuar para se të kërcente nga një urë.
Sipas gazetës “Il Mattino”, Ruffo ishte në shtëpinë e tij në Ostia, afër Romës, kur në orën 4.30 të mëngjesit ishte vizatuar një kryq i kuq në muret e tij dhe në derën e hyrjes së shtëpisë së tij ishte derdhur benzinë.
Fatmirësisht për të, qeni kishte lehur duke e aktivizuar alarmin para se t’i vihej flaka shtëpisë dhe zjarrvënësit ishin ndjekur.
Ky tentim sulm është duke u konsideruar si përpjekje për ta frikësuar gazetarin, edhe pse nuk është e qartë se kush qëndron pas tij, apo cilat prej hetimeve të tij e kanë nxitur atë.
(Kosova Sot)